Zyrtarët amerikanë shprehen se vaksina e parë e koronavirusit Pfizer nga kompania BioNTech do të mbërrijë në SHBA që nga e hëna (14 dhjetor).

Shefi i Operacionit Warp Speed, programi i zhvillimit të vaksinave të administratës Trump, Gjenerali i Ushtrisë Gustave Perna, tha në një konferencë shtypi të shtunën se kompanitë e transportit do të fillojnë të shpërndajnë rreth 3 milionë doza të vaksinës së Pfizer-it në gati 150 qendra shpërndarjeje.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve dha autorizimin për përdorimin emergjent të vaksinës, të zhvilluar me partnerin gjerman BioNTech, që ka demonstruar të jetë 95% e efektshme në parandalimin e sëmundjes. Vaksina mund të merret nga mosha 16 vjeç e lart.

Ndërsa ishte e paqartë saktësisht se kush do të mari dozat e para, është deklaruar se punëtorët shëndetësorë dhe banorët e azileve të pleqve do të kenë përparësi. Zoti Perna tha se autoritetet shëndetësore do të jenë ata që do të marrin vendime të tilla.

Meksika gjithashtu miratoi përdorimin emergjent të një vaksine të koronavirusit të premten vonë, duke e çuar në gjashtë numrin e vendeve që kanë filluar vaksinimin ose planifikojnë të fillojnë vaksinimin me ampulat e prodhuara nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech.

Britania, Bahreini, Kanadaja, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara kanë miratuar përdorimin e vaksinës.

Ndihmës sekretari meksikan i Shëndetësisë dhe epidemiologu Hugo Lopez-Gatell e quajti miratimin e vaksinës si “një arsye për shpresë”. Agjencia Reuters njoftoi se Meksika nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Pfizer për të blerë 34 milionë doza të vaksinës, me grupin e parë që pritet të mbërrijë më vonë këtë muaj.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Meksika ka regjistruar 1.2 milionë raste me COVID-19 dhe ka 113,000 vdekje.

Miratimi i vaksinës nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave të premten erdhi ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 295,000 viktima nga COVID-19, numri më i lartë i të vdekurve në botë, sipas Universitetit Johns Hopkins, i cili llogarit se Shtetet e Bashkuara kanë pasur 15.8 milionë infeksione nga më shumë se 71 milionë infeksione me COVID të regjistruar në mbarë botën.

Shtrimet në spital janë në nivele rekord në shtetin më të populluar të Amerikës, Kaliforni. Qarku i Los Anxhelosit raportoi numrin e tij më të lartë ndonjëherë në ditë për rastet e reja me COVID-19, me më shumë se 12,000 në fillim të kësaj jave. Një zyrtar i shëndetit publik tha se qarku është “në një rrugë shumë të rrezikshme për të parë vuajtje dhe vdekje të paparë dhe katastrofike … nëse nuk mund ta ndalojmë mbingarkesën”.

Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit në institucionet e azilit pritet të jenë përfituesit kryesorë në raundin e parë të vaksinimit me 2.9 milionë doza këtë muaj. (Zëri i Amerikës)