Kujdesi shëndetësor, i gjerë, burokratik dhe amorf, ka qenë prej kohësh rezistent ndaj ndryshimeve. Sidoqoftë, urgjenca më e madhe në dekada ka shkaktuar një revolucion, shkruan The Economist. Nga laboratorët në sallat e operimit, metabolizmi i industrisë është rritur, ndërkohë që punëtorët e shëndetësisë janë përpjekur me vështirësi për të ndihmuar të sëmurët.
Me ngut dhe shpesh me sukses, ata kanë improvizuar me teknologji të reja. Krijimtaria e tyre premton një epokë të re të inovacionit që do të ulë kostot, do të rritë aksesin për të varfrit dhe do të përmirësojë trajtimet. Por për ta mbështetur atë, qeveritë duhet të ndalojnë lobet e fuqishme që kërkojnë të bllokojnë rritjen e inovacionit kur pandemia të qetësohet.
Covid-19 ka nxitur zhvillimin spektakolar të vaksinave që përdorin teknologji të reja mARN. Por ka pasur gjithashtu mrekulli të panumërta më të vogla, teksa punonjësit e shëndetësisë kanë eksperimentuar për të shpëtuar sa më shumë jetë. Rregullat e vjetruara të prokurimit janë hequr dhe janë adoptuar metodat me video-call dhe softueri i transkriptimit me zë.
Makineritë mirëmbahen në distancë nga prodhuesit e tyre. Me pacientët të mbetur në shtëpi, mjekët kanë nxituar të kryejnë monitorimin dixhital të atyre që po rimarrin veten nga ataku kardiak. E gjithë kjo ka ndodhur së bashku me një bum në ngritjen e kapitalit për inovacione mjekësore: 8 miliardë dollarë në të gjithë botën në tremujorin më të fundit, dyfishi i shifrës nga një vit më parë.
Nevojitet më shumë inovacion. Shpenzimet globale të shëndetësisë zënë 5% të PBB-së në vendet e varfra, 9% në ato të pasura dhe 17% në Amerikë. Industria punëson mbi 200 milionë njerëz dhe gjeneron më shumë se 300 miliardë dollarë fitime në vit. Por ajo gjithashtu është rezistente ndaj ndryshimit. Pacientët mund të mos e dinë se cilat trajtime janë efektive. Nevoja për të bashkuar rrezikun midis shumë njerëzve po krijon skema tipike të shëndetit kombëtar në Europë, ose shoqëri sigurimesh në Amerikë dhe disa ekonomi në zhvillim. Rregullat komplekse u mundësojnë firmave të nxjerrin fitime të larta.
Rezultati është se rritja e produktivitetit ka qenë e ngadaltë. Kostot e larta nënkuptojnë se shumë njerëz në botën në zhvillim nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor. Efikasiteti i ulët mund të shkaktojë një krizë fiskale në disa vende të pasura në dy dekadat e ardhshme, ndërsa popullsitë e plakura i detyrojnë faturat mjekësore të rriten edhe më tej.
Pandemia na ndihmon për të treguar se çfarë është e mundur, pjesërisht, sepse i bëri njerëzit të lënë mënjanë kujdesin e tyre. Konsultimi dhe monitorimi mjekësor nga larg mund të ulin kostot dhe të rrisin aksesin.
Vizitat në distancë në klinikën Mayo, një spital amerikan, u rritën nga 4% para pandemisë, në 85%. Sehat Kahani, një firmë pakistaneze, ka ndihmuar mjeket femra të trajtojnë në distancë të varfrit, në një shoqëri konservatore. Ping An Good Doctor, një portal kinez, kishte 1.1 miliard vizita gjatë kulmit të pandemisë.
Konkurrenca
Një rritje në farmacitë online do të rriste konkurrencën. Më 17 nëntor, Amazon njoftoi hyrjen e saj në fushë, që mund të ndryshojë industrinë e Amerikës të dominuar nga farmacitë dhe ndërmjetësit e mëdhenj. Ky është vetëm fillimi. Diagnoza e pasur me të dhëna mund të ndihmojë specialistët në analiza rutinë, për shembull me skanime mjekësore, si rrezet X. Një gjeneratë e re e monitorëve të glukozës për diabetikët, ka përfituar nga përmirësimet e fundit në sensorë. Me kalimin e kohës, Inteligjenca Artificiale do të çojë në risi të medikamenteve. Këtë javë, DeepMind, një laborator i Inteligjencës Artificiale, njoftoi një përparim në analizën e proteinave.
Shumë prej këtyre prirjeve duhet të përmirësojnë efikasitetin – me qira më të ulëta të zyrave, ose alokimin e mjekëve në kohë reale në zonat rurale ku operacionet janë të pakta. Por ato gjithashtu ka të ngjarë të nxisin konkurrencën dhe përmirësimin e vazhdueshëm. Më shumë të dhëna, do ta bëjnë më të thjeshtë për të gjykuar se cilat trajtime janë më efektive. Monitorimi i shëndetit personal do të thotë se trajtimi bëhet më tepër parandalues sesa reaktiv. Dhe me më shumë informacion, pacientët mund të marrin vendime më të mira.
Qeveritë mund të bëjnë çmos për të ndihmuar. Firmat e mëdha të kujdesit shëndetësor, siç janë siguruesit dhe skemat shëndetësore të drejtuara nga shteti, duhet të jenë të etura për të ofruar shërbime të reja dixhitale dhe duhet të paguajnë për to. Për shembull, Gjermania dhe Kina kanë miratuar ligje ose rregulla të reja që kërkojnë rimbursimin e shërbimeve online. Shërbimet dixhitale nxisin efikasitetin dhe shpejtësinë. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Amerikës ka modernizuar procesin e miratimit të këtyre shërbimeve për aplikacionet.
Prioriteti tjetër për qeveritë është ndërtimi i një sistemi për rrjedhën e të dhënave të kujdesit shëndetësor. Individët duhet të kenë kontroll mbi të dhënat e tyre dhe t’u japin leje ofruesve që të kenë qasje në to. India po krijon letërnjoftime kombëtare shëndetësore që synojnë të ndërthurin jetën private me të dhënat masive. Në të gjithë botën, qindra miliona të dhëna mjekësore duhet të bëhen anonime dhe grumbullohen në mënyrë më efikase, që studiuesit të mund të kërkojnë grupe të dhënash për modelet.
Një shans i rrallë për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të ulur kostot e tij, mund të zhduket në fund të vitit 2021. Punonjësit e rraskapitur të kujdesit shëndetësor mund të parapëlqejnë një pushim, sesa një revolucion. Disa nga kompanitë startup të teknologjisë mjekësore, do të dështojnë, duke shkaktuar një reagim të ashpër.
Disa firma të mëdha të teknologjisë mund të përpiqen të monopolizojnë grupet e të dhënave. Dhe lobet e fuqishme të industrisë do të përpiqen të bllokojnë konkurrentët. Kujdesi shëndetësor nuk është një fushë ku pritet të mësohet nga gabimet. Megjithatë, pandemia ka zbuluar se industria ishte mësuar me kujdesin e tepruar. Ajo ka ripërcaktuar atë çka është e mundur./ Përktheu Lira Muça/