Rimëkëmbja ekonomike dhe rindërtimi pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të ndihmohen edhe nga një hua prej 80 milionë dollarësh nga Banka Botërore. Përmes një njoftimi, vetë Banka Botërore shprehet se do të ndihmojë Shqipërinë që të forcojë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave të veta, të zgjerojë burimet për rimëkëmbje e rritje dhe të mbështesë sektorë kyç që ofrojnë mundësi për rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

Banka Botërore

Rimëkëmbja ekonomike dhe rindërtimi pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të ndihmohen edhe nga një hua prej 80 milionë dollarësh nga Banka Botërore. Përmes një njoftimi, vetë Banka Botërore shprehet se do të ndihmojë Shqipërinë që të forcojë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave të veta, të zgjerojë burimet për rimëkëmbje e rritje dhe të mbështesë sektorë kyç që ofrojnë mundësi për rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

“Projekti i miratuar për Financimin e Politikave Zhvillimore (DPF) për Qëndrueshmëri Fiskale dhe Rritje Ekonomike, me vlerë 80 milionë dollarë, synon mbështetjen e reformave ristrukturuese dhe rimëkëmbje të qëndrueshme të Shqipërisë. Ky financim është pjesë e një programi më të gjerë të ofruar nga Grupi i Bankës Botërore dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë në menaxhimin e sfidave të krijuara pas tërmetit të fundit dhe krizës aktuale të COVID-19”, thuhet në njoftim.

Banka Botërore nënvizon se ndërsa godita e dyfishtë nga tërmeti dhe COVID-19 e ka zhvendosur vëmendjen drejt masave emergjente afatshkurtra, qëllimi i këtij financimi është të mbështesë Shqipërinë në ruajtjen e fokusit tek reformat afatgjata që synojnë rritjen e qëndrueshme të bizneseve dhe krijimin e vendeve të punës përmes forcimit të politikave, institucioneve dhe investimeve.

Banka Botërore bën me dija gjithashtu se projekti ka ofruar mbështetje ndaj reformave thelbësore në sektorin financiar.

Miratimi i kuadrit për zgjidhje jashtë gjyqësore të kredive problemore mundëson ristrukturimin e firmave dhe zgjidhjen e kredive me probleme. Ligji modern për shërbimet e pagesave lehtëson transaksionet dhe nxit shqiptarët të marrin pjesë në sistemin formal financiar. Kuadri i ri ligjor për tregun e kapitaleve dhe fondet e investimeve mund të çojë në katalizimin e një sistemi financiar më të gjallë dhe të larmishëm, duke ofruar më shumë mundësi për investime në ekonominë shqiptare.

Së fundmi, projekti mbështet mundësitë kryesore sektoriale për rritje të qëndrueshme. Zgjerimi i aksesit në internet me shpejtësi të lartë në zonat rurale do të bëjë që më shumë shqiptarë të kenë mundësi të marrin pjesë në ekonominë dixhitale. Përmes forcimit në administrimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore të Shqipërisë, projekti ofron gjithashtu mbështetje në mbrojtjen e pasurive natyrore, të cilat janë jetike për sektorët kryesorë ekonomikë, përfshirë turizmin dhe bujqësinë.

Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë zhvilluar konsultime me grupet e interesit në lidhje me masat specifike që mbështeten nga kjo hua, përfshirë përfaqësues të sektorit financiar, sektorit privat, rregullatorë, njësi të qeverisjes lokale, shoqata të biznesit, agjenci të mbrojtjes së mjedisit, universitete, OJQ, shoqata të përdoruesve të pyjeve, deputetë dhe partnerë të zhvillimit.

Projekti për Financimin e Politikave Zhvillimore për Qëndrueshmërinë Fiskale dhe Rritjen Ekonomike është një hua e BNRZH-së me spread fiks, me një periudhë faljeje 3.5-vjet dhe afat shlyerjeje deri në 12 vjet.

Shqiptarja.com