Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian që ka për synim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Departamenti i Shtetit rikujton një deklaratë të mëhershme të presidentit amerikan, Joe Biden.
“Siç ka thënë presidenti Biden: thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, si dhe do të fuqizojë institucionet demokratike të tyre. Ajo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”, thuhet në deklaratën e dhënë nga DASH për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti i Shtetit rikujton edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit më 19 janar, para inaugurimit të presidentit Biden, në të cilën ai kishte thënë se “duartroket përpjekjet e administratës së presidentit Trump” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.