Zyrtarisht është Monika Kryemadhi kryetarja e LSI dhe njeriu që po udhëheq fushatën elektorale. Megjithatë, ndërsa Kryemadhi është aktive në protesta dhe në intervista në të cilën shprehet se nuk do e kishte problem nëse bashkëshorti i saj do të kishte histori me femra të tjera https://shqiptarja.com/lajm/cift-i-hapur-monika-kryemadhi-si-ka-problem-femrat-e-metes-seksi-eshte-thjesht-eksperience-rendesi-ka-dashuria, Ilir Meta është aktiv duke drejtuar “de jure” fushatën politike të partisë së tij. Së fundmi, dezertimi i Nasip Naços, Ediola Brahas dhe të tjerëve nga radhët e LSI për tek PS duket se ka detyruar Ilir Metën që të përzihet edhe më aktivisht në punët e partisë. Këtë gjë ai po e bën në tre mënyra. E para, daljet pothuajse të përditshme televizive në të cilën në mungesë totale të respektit për pozicionin kushtetues që ka përdor Presidencën për të goditur qeverinë. Por, kjo nuk është diçka e re apo a panjohur nga më parë.

E dyta, Ilir Meta është më aktiv se kurrë në “qoka” dekoradash dhe medaljesh, të cilat kanë kosto prej miliona lekësh për buxhetin e shtetit pasi titujt e dhënë nga kreu i shtetit shoqërohen me pensione apo benefite të tjera. Konkretisht, nga investigimi i “Lexo.al” mësohet se në vitin 2020, Ilir Meta lëshoi një total prej 228 medaljesh, titujsh dhe dekoratash, një dyfishim drastik nga 126 të tilla të lëshuar prej tij në vitin 2019. Për krahasim, përpara “inflacionit” të titujve, në vitin 2016, Presidenti Nishani shpalli vetëm 7 medalje apo tituj gjatë të gjithë vitit, ndërsa në vitet paraardhëse mesatarja vjetore ka qenë prej 25-30. Janë 10 herë më shumë medaljet e dhëna nga Meta në një vit se paardhësit e tij ose rreth 40-fish nëse e krahasojmë me vitin 2016, me një trend të qartë rritës në prag të fushatës zgjedhore. Ndërsa mënyra e tretë se si Presidenti bën politikë është përmes dekreteve. Si ai i zgjedhjeve të vitit 2019, kur me bekimin e mbrojtësit numër një të kushtetutës u nxit dhuna dhe kaosi politik pas shpalljes së paligjshëm të anullimit të zgjedhjeve lokale të dekretuara më parë nga vetë Presidenti.

Anullimi i datës “in extremis” duket se ishte një veprim i qëllimshëm, për t’i krijuar një alibi mospjesmarrje në zgjedhje opozitës. Investigimi i “Lexo.al” tregon se si rikthimi i ligjeve në Kuvend në shqyrtim, një kompetencë e Presidentit, por që e përdorur me keqdashje krijon vonesa dhe problematika të panevojshme në miratimin e akteve ligjore është shndërruar në një qëllim në vetvete. Në vitin 2018, kur konflikti i kreut të shtetit me qeverinë nuk ishte kaq i hapur, përgjatë të gjithë vitit Presidenti vendosi të rikthejë për rishqyrtim 3 ligje në total. Në vitin 2020, numri i ligjeve të kthyera në Kuvend është plot 24. Duke nisur nga ligji për mediat audiovizive dhe ligji për komunikimet elektronike në janar, ligji kyç për hapjen e negociatave të integrimit, ai mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në mars, si dhe ligji përsëri thelbësor për integrimin, ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH po në mars. Në vijim, në fund të marsit, kreu i shtetit ktheu ligjin për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, atë për përfundimin e procesit kalimtare të pronës, për të vazhduar në maj me 3 ligje të tjera të rikthyera për rishqyrtim, atë për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ligjin për koncensionin të portit të ri të Porto Romanos.

Nga qershori në dhjetor, Presidenti Meta ktheu këto ligje të tjera për rishqyrtim: Për shërbimet e pagesave. Për përmirësimin e zonave të biznesit. Për ndryshimet në ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Për tregjet e kapitalit. Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Për vlerësimin kalimtar dhe periodic të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës. i njohur ndryshe si vetingu në Policinë e Shtetit, edhe ky ishte një ligj shumë i rëndësishëm për marrjen e një rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Meta ktheu në 13 Korrik 2020, në mënyrë të pakonceptueshme ligjin për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19. Për kreun e shtetit, vendosja e gjobave si në çdo vend të botës për shkelësit e karantinës ishe anti-kushtetuese.

Ligji për shtetësinë. Ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin. Ligji për pronat e paluajtshme të shtetit. Ligji për Kodin Zgjedhor. Shumë i rëndësishëm edhe ky në hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ligji për metrologjinë. Ligji për gjendjen civile. Ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 108/2014 për Policinë e Shtetit. Presidenti mbylli vitin me rikthimin për shqyrtim të ligjit për buxhetin e vitit 2021, si dhe inaguroi vitin e ri në 13 janar me kthimin e ligjit për taksat kombëtare. Rikthimi i ligjeve për rishqyrtim përmes dekreteve presidenciale është një mënyrë krejt inovative e të bërit fushatë, diçka që nuk është bërë në mënyrë kaq frekuente as në kohën e një tjetër presidenti me vokacion të qartë partiak, siç ishte zoti Bujar Nishani. Megjithatë, duke kthyer ligje thelbësore për integrimin e Shqipërisë në BE, por duke kthyer edhe çdo ligj të mundshëm, si dhe atë për koronavirusin, Presidenti e bën më të vështirë për qeverinë që të jetë efikase në drejtimin e vendit, duke nxjerrë dividenta të qartë politikë për llogari të krijesës së tij të dashur, LSI-së.

Mbetet për të parë se cili do të jetë në muajt në vazhdim ai që do të përcaktojë emrat e kandidatëve që do të konkurrojnë nën siglën e kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit. Gjasat janë, që ky person nuk do të jetë Monika Kryemadhi.