Që prej aplikimit të parë të ardhur nga fshati Gruemirë, pas hapjes së aplikimit në datën 15 janar, më shumë se 1.500 fermerë kanë aplikuar deri tani në skemën e karburantit falas për bujqësinë.

Në total, deri në datën 25 shkurt kur mbyllet afati i fundit i aplikimit, janë 70 mijë fermerët që plotësojnë kushtet për të përfituar.

Por, cili do të jetë përfitimi nga kjo skemë?

Karburanti i subvencionuar është një masë lehtësuese që është provuar që prej vitit 2018 për sektorin e peshkimit.

Në paketën fiskale të atij viti, qeveria shqiptare vendosi që të përjashtonte anijet e peshkimit nga akciza, taksa e karbonit dhe ajo e karburantit, duke zbritur çmimin e naftës për peshkatarët nën 80 lekë litri, nga mesatarisht 160 lek/litri që është çmimi i tregut.

Si rrjedhojë e këtij lehtësimi, sektori i peshkimit ka njohur një rritje kolosale në tre vitet e fundit, me eksportet e produkteve të detit që janë rritur nga 15 milionë euro në 100 milionë euro, praktikisht 7-fishim në vetëm 3 vjet. Skema e karburantit falas për tokën bujqësore, serat dhe drutë frutorë synon të replikojë këtë histori suksesi, duke bërë që produktet shqiptare të jenë edhe më konkurruese në tregun vendas dhe atë të huaj.

Fala masave të tjera të marra gjatë këtyre viteve, mes të cilave rritja e mbështetjes direkte përmes skemës IPARD, 200 milionë euro të investuara për kullim dhe vaditje, ngritja e 224 pikave të grumbullimit apo përjashtimi nga TVSH për shumë produkte bujqësore, eksportet tona ushqimore janë rritur nga 150 milionë euro në 400 milionë euro në vit.

Skema e karburantit falas pritet të japë një kontribut të mëtejshëm, në rritjen e eksportit shqiptar, çka do të sjellë rrjedhimisht në buxhetin e shtetit shumë më tepër të ardhura se sa shpenzimi i planifikuar për këtë skemë. Por, si funksionon skema e karburantit falas për bujqësinë? Aplikimet do te jene te hapura deri ne datën 25 shkurt. Skema subvencionuese mbulon të gjithë ata fermerë që janë të regjistruar me NIPT dhe që kanë një sasi toke të punueshme më të madhe se 0.4 hektarë.

Në total, janë 70 mijë fermerë që plotësojnë kushtet për të përfituar nga skema, për të cilën shteti shqiptar ka vendosur në dispozicion në vitin e parë të zbatimit të saj një vlerë totale prej 10 milionë dollarësh. Përfituesit do të pajisjen me një kartë me çip dhe do të marrin sasinë e tyre falas në pikat e autorizuara të karburantit.

Skema mbështetëse e naftës për bujqësinë mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara për një numër kulturash bujqësore, si bimët e arrave, perimet e fushës dhe serës apo drutë frutorë. Dokumentat e nevojshme janë statusi aktiv i NIPT-it, dokumenti i pronësisë së tokës dhe një formular vetdeklarimi për kulturat bujqësore të mbjella. Në bazë të këtij aplikimi përllogaritet sasia e karburantit falas që do të përfitohet nga fermeri, mbi bazën e një koeficienti të caktuar për secilën prej kulturave bujqësore.

Përgjigja për aplikimin merret brenda 30 ditësh.Për çdo informacion të mëtejshëm, të interesuarit mund të kontaktojnë numrin jeshil të vendosur në dispozicion 08008383, Agjensitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Agropikat Përkatëse apo të konsultohen në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë apo AZHBR.