Nga Klevis Bakillari/
Brenda sistemit të demokracisë, “kulti i personalitetit” është një dukuri e mishëruar tek një udhëheqës i cili krijon një imazh që është më i madh se jeta dhe më i madh se një njeri i thjeshtë. Ndryshe u shfaq si ‘kult i individit’ tek sistemet autokratike ku nuk pati balanca gjinore dhe pushteti centrik funksiononte e zotërohej sipas metodës ‘komandë dhe kontroll’. Ky është edhe ndryshimi i parë. Kur një lider i çdo përmase, gjinie apo përkatësie, ndërton një imazh që kapërcen kohën, që kap të ardhmen e afron të renë, që orienton dhe frymëzon jetët e të tjerëve rreth modelit të tij pozitivë, ai pothuajse është kthyer tashmë në një figurë kulti. Të bëhesh lider në liri, është sinonim i të bërit vetvetja, të jesh ai që je! Rrallëherë, elita politike shqiptare ka qarkulluar udhëheqësa të besueshëm, të drejtë, të guximshëm!
Së pari të pranojmë faktin se ‘liderizimi’ gjatë tridhjetë viteve të fundit politike apo të para demokratike, është proçesuar nën stamposjen e ndikimeve nga ish sistemi. Ndikime të trajtës ideologjike, diplomatike, makinacioniste, emocionale. Shumë aktorë politikë organikisht të rinj u porositën,modeluan dhe u fabrikuan me brumin e vjetër. Ata shërbyen për t’u shpërblyer, u tulosën nën tutelën e ish protagonistëve! Paralelisht u zhvillua fenomeni sinonimik ku trupa të vjetër u futën në kostume të reja politike. Output-i ishte negativ sepse prodhoi figura apo liderë që rezultuan të pa besueshëm. Sot kjo fazë farse po shuhet por do të shquhet për prodhimtari të imazheve dhe metrazheve politike të cunguar po edhe të rremë!
Së dyti, të njohim modelin tjetër. Kohët po ndryshojnë dhe neve bashkë me to! Njerëzit s’duan më të vjetrën, antiken. Kërkojnë të renë. Autentiken! Duan një lider real, të prekshëm, njerëzor. Dëshirojnë një udhëheqje me besnikëri ku mund të besojnë që udhëheqësit janë të ndershëm dhe të mirë. Kërkesa e njerëzve për udhëheqje besnike e bën ‘udhëheqjen autentike’ një term të kohës dhe me vlerë. Udhëheqja autentike është një moral i individualizuar i cili propozohet si një mjet për të ofruar zgjidhje për problemet bashkëkohore. Autenticiteti, një zonë në rritje e interesit në studimet e lidershipit, është një koncept i rëndësishëm brenda të menduarit ekzistencialist. Sfidat e sotme përfshijnë çështjet e shëndetit, ndryshimin e klimës, mjedisin, shterimin e burimeve të Tokës, plakjen e popullsisë dhe kultivimin e talenteve, menaxhimin virtual të prodhimit dhe kontributeve të punonjësve dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Ky lloj i ri i udhëheqjes përfshinë kryesisht qëndrueshmërinë, guximin, fleksibilitetin, dëgjimin, ndjeshmërinë, bashkëpunimin, kujdesin dhe njohjen e kontributit kolektiv. Pjesëmarrja e inteligjencës së gjithsecilit bëhet çelësi i suksesit. Këto janë të gjitha karakteristikat e menaxhimit tradicionalisht femëror. Për të kapërcyer pengesat e shekullit XXI dhe për të qenë të suksesshëm do duhet të diversifikohen burimet e talentit sa më shumë që të jetë e mundur, duke i dhënë përparësi gjinisë femërore apo së paku barazisë gjinore. Udhëheqja autentike është një moral i individualizuar dhe lideri autentik është i vërtetë e i besueshëm nga ata që kanë kaluar sfida të ngjashme. Udhëheq drejtë, me popullin dhe efektivisht një lider i drejtë është gjithnjë i guximshëm.
Lideri i guximshëm është mbinjeri. Kultivohet pa ndalesë e beson në vetëvete, mbronë idealet që s’zbehen me moshën e s’zhbëhen me kohën. Urrenë gjënë e gabuar më shumë sesa urrenë koston për të bërë gjënë e duhur. Kjo është edhe aksioma që përcjell Spiropali, thjeshtësisht ‘mbinjeriu’ i politikës shqiptare. Ne duhet të besojmë se mundemi, se ja dalim dhe do të jemi në gjysmë të rrugës atje!