Presidenti i Republikes Ilir Meta dhe kreu i PD Lulzim Basha sot kane bere fushate me permbytjen ne fhatrat e Sukthit, pa larguar shume nga vilat e tyre luksoze ne Lalz dhe Hamallaj! Presidenti Ilir Meta ka qenë ditën e sotme në Sukth, në fshatrat Vadardhë, Rrushkull e Hamallaj, të cilat u përmbytën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se është e papranueshme që këto familje po vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore. Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme.

Më tej, Meta shprehet se qytetarët kanë nevojë për shërbime dhe jo për propagandë. “Qytetarët duan shërbime, jo propagandë! Sot isha pranë banorëve të njësisë administrative Sukth, në fshatrat Vadardhë, Rrushkull e Hamallaj, të përmbytura si pasojë e rreshjeve të ditëve të fundit, të cilët veç pasojave të tërmetit dhe pandemisë, po vuajnë nga dëmet e motit të keq dhe mungesa e ndihmës shtetërore. U informova prej tyre se dalja e lumit Erzen nga shtrati, ka izoluar me dhjetëra familje, shumë prej të cilave me prezencë shqetësuese uji, ka përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore, ka dëmtuar argjinaturat, si dhe ka bllokuar të gjitha kanalet kulluese dhe tumbinot.

I papranueshëm është fakti se këto familje po vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore, për shkak se asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme. Problematikë ka edhe në sigurimin e ushqimit për kafshët, duke vënë në rrezik dhjetëra krerë bagëti, burim i vetëm i të ardhurave të tyre. Për shkak të pasojave të tërmetit, të COVID-19, krizës ekonomike të shkaktuar prej tyre dhe rëndimit të gjendjes nga përmbytjet, është emergjente menaxhimi më i mirë i situatës, duke patur prioritet absolut mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronave të qytetarëve të rrezikuar, të cilëve duhet t’u garantohen ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente mjekësore.

Është e trishtë dhe e papranueshme për Shqipërinë e vitit 2021 kur dëgjon nga goja e kuksianëve të vendosur në Vadardhë, se janë të detyruar të shesin bagëtitë për të investuar privatisht në ngritjen e argjinaturave për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Fatura e përmbytjeve nuk duhet të rëndojë mbi qytetarët, të cilët kanë sot nevojë emergjente për shërbime dhe jo për propagandë!”, ka deklaruar Meta. Me heret, kreu i opozitës, Lulzim Basha ka parë nga afër sot situatën e përmbytjeve në zonën e Sukthit në Durrës. Basha ka takuar banorët e zonave të prekura, ndërkohë që ka akuzuar qeverinë se ka lënë qytetarët pas dore.

Sipas Bashës ministrat e qeverisë shkojnë në darka luksoze në Emirate, ndërkohë që nuk u kanë ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet. “Sot janë pakësuar reshjet, duhet urgjentisht të merren masat, problemi është që mungesa e investimeve kanë sjellë në këtë gjendje. Dhe faturën e kripur e paguani ju, është e pafalshme, e papranueshme. Ndërkohë që ju jeni në këtë situatë ministrat shtrohen në lokalet më luksoze të Emirateve. Qeveria duhet të mendojë për ju, jo për veten. Nuk ka asnjë arsye që të mos ju vijnë në ndihmë, për ujë të pijshëm për medikamente, për ndihmë ushqimore, kjo është një zonë e varfër, zonë që përmbytet sa herë që bie shi. Me një qeveri që e ka mendjen te ju, ky shtet i ka mundësitë për ti parandaluar këto. Këtu kam qene, ka ardhur pas meje ka thënë do i rregullojmë. E njëjta situatë kudo, në Lezhë, si para 3 vjetësh. Thesin e premtimeve e hapin sa fillojnë zgjedhjet. Qeveria i ka të gjitha mundësitë.’- u shpreh Basha.

Banorët treguan se kanalet në fshat nuk janë pastruar prej vitesh e se kanë qene vetë ata që kanë mbledhur para për të investuar në infrastrukturë. ‘Kanalet nuk janë pastruar prej vitesh. Vetë komuniteti ka mbledhur lekë për të investuar në insfrastrukturë. Po nuk u punua përpara se të nisin reshjet, nuk ka vlerë puna pas përmbytjes. Investimet kanë mbetur në mes.’-tregon një banor i zonës.