Enver Maloku është një nga banorët e zonës së Vorës, shtëpia e të cilit u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, por ai përfitoi nga fondi i Rindërtimit. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali vizitoi sot familjen Maloku, ndërsa theksoi se qeveria mbështeti çdo familje të prekur, duke mos lënë asnjë pas për ta zgjidhur vet hallin.
“Banesa e Enver Malokut, në Vorë pësoi dëme të konsiderueshme nga tërmeti, por ndryshe nga ç’flet ansambli i gjumit, ai si shumë banorë të tjerë të prekur nga fatkeqësia nuk u lanë për asnjë çast në harresë. Enveri ka përfituar nga Fondi i Rindërtimit duke marrë hakun që i takon, rrëfimi i tij thotë shumëçka”, tha Spiropali.
Ndërkohë, vet Enveri shprehet se bashkia dhe qeveria e kanë mbështetur atë që në orën e parë të tërmetit, në çdo hap për të përballuar këtë situatë. “Bashkia na ndihmoi me gjithçka. Jemi shumë të kënaqur me qeverinë Rama. I ranë shumë situata të vështira, tërmeti e pandemia, dhe i përballoi. E falenderojmë. Ku gjen ai gjithë këtë kurajo për të vizituar çdo ditë kantieret e ndërtimit. Qeveria na u gjend që në orën e parë të tërmetit“, shprehet Maloku. Në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin më 26 nëntor janë hapur kantieret e ndërtimit për të rikthyer të gjithë banorët në shtëpitë e reja të ndërtuara nga qeveria.