Në Shqipëri prej 2 javësh tashmë është duke u bërë vaksinimi anti-COVID në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’. Qeveria shqiptare është kritikuar se ka zgjedhur stadiumin për propagandë. Por ndërkohë Shqipëria nuk është i vetmi vend që përdor stadiumet për të bërë fushatën e vaksinimit.
Në Britaninë e Madhe, Manchester United ka hapur Old Trafford për të trajnuar qindra vullnetarë si pjesë e programit mbarëkombëtar të vaksinimit COVID-19. Stadiumi do të përdoret si një strukturë në shkallë të gjerë trajnimi gjatë pesë fundjavave të ardhshme.
Po trajnohen 30,000 vullnetarë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të administruar vaksinat COVID-19.
Vaksinimi antiCOVID për personelin shëndetësor të vijës së parë të luftës kundër COVID-19 në Shhqipëri vijon në “Air Albania” që prej datës 11 janar. Deri tani janë vaksinuar mjekë, infermierë dhe epidemiologë.
Në programin kombëtar të vaksinimi ndaj COVID-19, është përcaktuar që pas punonjësve shëndetësor në radhë për tu vaksinuar janë personat qe jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, më pas personat mbi 90 vjeç, duke vijuar me ata mbi 80 e 70 vjeç e deri tek ata mbi 65 vjeç, pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese.