Portugalia është mbyllur pothuajse plotësisht për të përmbajtur koronavirusin, që po përhapet me shpejtësi në vendin iberik. Që nga e diela, hyrja dhe dalja pa ndonjë arsye të vlefshme është e ndaluar në vendin që është destinacion popullor i pushimeve. Në kufirin e vendit me fqinjën e saj në BE, Spanjën, kontrollet janë rivendosur, njësoj si në pranverën e vitit 2020. Kontrollet në porte dhe aeroporte gjithashtu u forcuan sipas një dekreti qeveritar.
Përjashtimet zbatohen për njerëzit që udhëtojnë për në punë, kthehen në vendbanimin e tyre kryesor, për transportin e mallrave dhe për urgjencat mjekësore ose ndihmat humanitare. Kufiri tokësor prej 1 214 kilometrash midis Portugalisë dhe Spanjës tashmë është mbyllur për herë të parë që nga 17 marsi për shkak të pandemisë. Ai u rihap vetëm më 1 korrik pas rënies së ndjeshme të numrit të infeksioneve në atë kohë. ”Situata e koronavirusit në Portugali është shumë e keqe”, sipas kryeministrit Antonio Costa. Të shtunën pati 12 435 infeksione të reja dhe 293 vdekje në vendin me 10,3 milionë banorë. Të matura përkundrejt madhësisë së popullsisë, këto shifra janë ndër më të lartat në botë, sipas llogaritjeve nga organizatat ndërkombëtare.
Sipas shifrave të fundit të Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), 1 429 njerëz për 100,000 banorë u infektuan me virusin brenda 14 ditësh, duke e vendosur Portugalinë përpara Spanjës, ku numri ishte 1 026, në krye të listës të 30 vendeve. Partnerët e BE-së Austria dhe Gjermania kanë ofruar të ndihmojnë shërbimin shëndetësor të Portugalisë. Austria ka ofruar të marrë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19 nga Portugalia. Austria tashmë ka marrë deri tani pacientë të kujdesit intensiv nga Franca, Italia dhe Mali i Zi. Sistemi shëndetësor portugez është nën presion masiv për shkak të niveleve të larta të infeksioneve. Sipas autoriteteve, vetëm disa shtretër të kujdesit intensiv janë ende në dispozicion.
Forcat e Armatosura gjermane po shqyrtojnë mënyrën e veprimit pas kthimit të një ekipi zbulimi mjekësor nga Portugalia. ”Natyra dhe shtrirja e mbështetjes për Portugalinë, nga e cila është marrë një kërkesë për ndihmë, duhet të vendoset”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes. ”Der Spiegel” njoftoi sot se një ekip prej 27 mjekësh dhe infermierësh mund të dërgoheshin në Portugali në fillim të kësaj jave për të ndihmuar në spitalet e mbingarkuara. Sipas ”Der Spiegel”, ekspertëve të Bundeswehr në terren iu shfaq një pamje katastrofike. Sistemi shëndetësor ishte i mbingarkuar plotësisht, dhe shumica e stafit infermieror në spitale ishin vetë të infektuar me koronavirus. Portugalia ka qenë relativisht e padëmtuar për një kohë të gjatë. Megjithatë, që nga vjeshta, situata është përkeqësuar. Që nga 15 janari, Portugalia ka qenë nën një bllokim të rreptë.