Pasi ka marrë dozën e vaksinës anti-Covid, kryeministri Edi Rama ka folur për mediat duke deklaruar se ky është një lehtësim i madh. “Tani shqiptarët mund të rrinë pa ankthe nëse do të vijë vaksina dhe a do të vaksinohen. Vaksina nuk është e detyrueshme, por e këshillueshme. Vaksina nuk i bën ilirët vikingë apo aziatikë. Gjithashtu të jeni të sigurt që nuk futet çip në trup për të përgjuar thashethemet e kafeneve” – tha Rama.
Ai shtoi se askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar. Rama shtoi se dozat për Kosovën Tirana do të nisë t’i dhurojë duke nisur nga java e ardhshme. “Për mua është e rëndësishme që edhe në Kosovë ku ende nuk është siguruar vaksina, të mund të fillojë të paktën në frontin e parë në spitalin Covid të Prishtinës. Sigurisht dozat që ne mund ti japim Kosovës nga java e ardhshme janë simbolike” – tha ai. I pyetur për radhën e vaksnimit, Rama ironizoi: “Normalisht radhën e ka Saliu që hyn edhe te moshat e thyera”.