Me mbështetjen e AZHBR-së përmes programit IPARD II, kompania “Agro-Koni” në Maminas, Shijak, ka ndërtuar një serrë ultramoderne për prodhimin e fidanëve perimore me një sipërfaqe prej 3,993 m2.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi dhe drejtoresha e AZHBR-së Frida Krifca vizitoi sot nga afër ambientet e serrës, e cila është e pajisur me një sistem digjital ngrohjeje, ventilimi, ujitjeje me karel lëvizës, ekran termik, plastmas dhe çdo element tjetër që përmban një serrë sipas standardeve të BE.

“Agro Koni” merret me rritjen e fidanëve nga pikënisja e prodhimit deri në eksport. Aktualisht jemi në vendin ku prodhohen fidanët, sera ekzistuese. E kemi mbështetur me serën e re me teknologji të avancuar. Këtu kemi gjithë llojet e perimeve që furnizojnë fermerët pothuajse nga gjithë Shqipëria me standarde të larta të bimëve”, tha Krifca.

Ndërkohë përfaqësuesi i kësaj kompanie foli edhe për teknologjinë bashkëkohore që po aplikohet në këtë serrë për shartimin e bimëve, një teknologji që kërkon ta avancoj me mbështetjen e AZHBR-së.

Ai tha se janë rreth 3 mijë fermerë nga gjithë Shqipëria që furnizohen nag kjo serrë me fidanë të cilësisë së lartë.

Krifca tha se investimi ka kaluar mbi 60 milionë lekë dhe është mbështetur me grant 60%. “Ka marrë paradhënie 10% dhe pjesën tjetër kur ka mbaruar serrën”, tha ajo.

Serra e re e kësaj kompanie është e pajisur me sistem automatik që kontrollon ajrosjen, ventilimin, lagështinë dhe temperaturën, që minimizon koston duke nxjerrë edhe një produkt më të shëndetshëm. Ajo është sipas parametrave më të avancuar dhe mund të kontrollohet edhe përmes celularit.

Krifca tha se janë 29 milionë euro të injektuara për prodhimin primar në serra. “Është e rëndësishme të rrisim sipërfaqen e serave që të kemi çfarë të përpunojmë pastaj”, tha ajo.