Reshje shiu me intensitet mesatar përfshinë vendin tonë 24 orët e fundit, por Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se akset rrugore kombëtare janë të kalueshme pa probleme.

ARRSH informoi se grupet e punës së mirëmbajtjes janë në terren në të gjitha akset kombëtare.

“Në aksin rrugor Elbasan-Librazhd si rezultat i reshjeve të shiut ka patur rënie të inerteve në trupin e rrugës, por janë hequr menjëherë nga kompania e mirëbajtjes pa sjellë probleme në qarkullim”, bëri të ditur ARRSH.

Sipas ARRSH-së, në Muzinë ka pasur rënie të inerteve në trup të rrugës dhe kompania e mirëbajtjes po punon për pastrimin e plotë të aksit.

“Qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset. Drejtuesit e mjeteve të udhëtojnë me kujdes për shkak të reshjeve, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.