Vazhdojnë reshjet e shiut në gjithë qarkun Elbasan herë me intesitet të lehtë e herë me intensitet mesatar. Akset rrugore nacionale dhe akset e tjera rurale janë të gjitha funksionale dhe qarkullimi nuk është ndërprerë asnjë moment.

Janë pastruar në vazhdimësi inertet që bien herë pas here në akset Elbasan-Qafë Thanë dhe Gramsh-Mollë Grabovë. Në Pishkash janë prezent makineri dhe punonjës dhe punohet në vijimësi për heqjen e masave të dheut që bien herë pas here. Gjithashtu në qarkun Elbasan nuk ka banesa apo ndërtesa të cilat të jenë të përmbytura as sipërfaqe toke të përmbytura.

Niveli i ujërave të Lumenjve Shkumbin e Devoll është larg pikës së rrezikut. Përroi i Zaranikës, bashkia Elbasan dhe përrenjtë e tjerë malorë kanë prurje më të vogla.

Nuk rezultojnë probleme përsa i përket furnizimit me energji elektrike përveç një lagje në fshatin Polis Vale Nj. A Shushicë, Bashkia Elbasan, ku janë rrëzuar dy shtylla nga gërryerja e përroit Gostimë dhe nesër do të rikthehet energjia. Kanalet e kullimit të fushave funksionojnë normalisht.