Prej ditësh, Parku Kombëtar i Lurës vijon të përballet me flakët, ndërsa në terren janë angazhuar mbi 200 forca, mes tyre zjarrfikës, struktura të Bashkisë Dibër, Emergjencat Civile dhe 51 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë përfshirë edhe dy avionë.
Përmes një reagimi publik, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Dibër, Ulsi Manja, i ka kërkuar Prokurorisë së Dibrës të tregojë të njëjtën urgjencë edhe në hetimin për shkaqet dhe autorët e zjarrit.
“Lura po digjet. Prokuroria e Dibrës duhet të zgjohet!”, shkruan Manja, duke theksuar se hetimi duhet të jetë i shpejtë, i gjithanshëm dhe objektiv, me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm të zjarrvënies.
Sipas Manjës, nuk mjafton që procedimi penal të përqendrohet vetëm te zyrtarë të sektorit të pyjeve, por duhet të zbardhen edhe rrethanat e vënies së zjarrit dhe të identifikohen përgjegjësit.
“Duhet hetim i shpejtë, i gjithanshëm dhe objektiv – vatër pas vatre – deri te autorët e vërtetë. Nuk mjafton të procedohen vetëm zyrtarë të pyjeve. Duhet të gjenden zjarrvënësit”, shprehet ai.
Duke e cilësuar situatën si një nga çështjet më urgjente për Dibrën, Manja kërkon që Prokuroria të mbështesë Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera të angazhuara në terren.
Ai paralajmëron gjithashtu se, nëse shqetësimet për zvarritjen e hetimit nuk marrin përgjigje, do t’i kërkohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë verifikimi i veprimtarisë së prokurorit ose prokurores që ka në ngarkim dosjen.
“Askush nuk është mbi përgjegjësinë. Zjarrfikësit po bëjnë detyrën. Ushtria po bën detyrën. Policia duhet të ketë çdo mbështetje. Është koha që edhe Prokuroria e Dibrës të bëjë të sajën”, përfundon Manja.










