Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vaqarr, në kantierin e lagjes së re për familjet e prekura nga tërmeti, që po ndërtohet me kontributin e përbashkët të qeverisë shqiptare, për infrastrukturën, qendrën komunitare, shkollën e njësinë administrative dhe Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, që po investon dhurimet e qytetarëve për familjet e prekura nga tërmeti, në 20 shtëpi të reja. Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesin e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, pa nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier ku ka nisur puna 40 ditë më parë dhe banorët pritet të hyjnë në banesat individuale në 30 mars. Kryeministri kërkoi që të harmonizohet puna me kompaninë që do të merret me infrastrukturën që të dali perfekt. “Ka një mundësi shumë të mirë për të dalë perfekt. Plus edhe muri, nuk e di si është plani, nëse do të ketë një mur rrethues, por të sistemohet me kangjella dhe të bëhet tamam si ato zonat rezidenciale”, tha Rama.

“Më pyeti dikush në Facebook gjithë këto ndërtime kush i bën kur s’ka punë? Dhe i thashë- ‘këto ndërtime i bën Ndrangheta me mafien’”, tha me ironi Rama. Kryeministri theksoi se vetëm këtu janë angazhuar 55 punëtorë, ndërkohë që janë 27 mijë vende pune të krijuara vetëm nga rindërtimi, për të gjitha kompanitë shqiptare”. Faktikisht, theksoi ai, nuk ka kompani që nuk është e përfshirë në proces. Në këtë drejtim, ministri Ahmetaj informoi se janë 175 kompani të përfshira në proces dhe po të llogariten edhe kompanitë e kontaktuara nga FSHZH dhe bashkia e Tiranës, kemi gati 200 kompani të angazhuara në procesin e rindërtimit me projektim, infrastrukturë, njësi individuale, pallate, shkolla.

Ministri Ahmetaj tha se edhe këtu po zbatohet i njëjti model që kemi përdorur në gjithë territorin me rindërtimin. Ndërkohë që 20 banesat po ndërtohen me kontributin e fondacionit “Fundjavë ndryshe”, pjesa e infrastrukturës, shkolla, kopshti, qendra komunitare bashkë me kinema dhe teatër do të ndërtohet nga bashkia e Tiranës dhe FSHZH.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se “kjo do ta shndërrojë Vaqarrin në një fshat model”. Hajdari tha se “ky ishte një premtim që kemi dhënë që ditën e parë që jemi ulur në tryezë dhe është premtim i mbajtur”. “Projekti është i vështirë për t’u realizuar nëse nuk do të jepej toka nga qeveria shqiptare, Është një moment për të shprehur mirënjohjen, pasi për ta bërë të mundur duhet bashkëpunimi”, tha ai.