“Nëse shikojmë sot se nga jemi nisur, Shqipëria sot nuk krahasohet në asnjë fushë me atë që ishte përpara atyre viteve që nisin me propozimin dhe me vizionin që ne kemi vënë përpara njerëzve”, deklaroi kryeministri Edi Rama i ftuar në forumin me temë “Biseda për tranzicionin” organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Kreu i qeverisë tha se “nëse unë do ta shikoja me sytë e asaj që unë dua sot të jetë nuk do të thosha që është ajo që e dua dhe arsyeja pse duhet vazhduar lind pikërisht nga reflektimi mbi atë që është bërë”, – tha Rama.

“Në të gjitha drejtimet, Shqipëria sot është në një fazë të ndërmjetme mes asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë. Po të marrim Reformën në Drejtësi që është një reformë themelore e shtetit dhe që përpara jo shumë viteve dukej e pamundur ajo është një reformë që ka hyrë në rrugën e zbatimit. Por sot drejtësia që kemi nuk ë shtë drejtësia që duam. Por nga atjetër premisat e krijuara janë ekzakt ato që duhet dhe prandaj do të vazhdojmë më tutje”, – nënvizoi Rama. I pyetur për ndryshimet dhe arritjet në punën e tij, Kryeministri Rama tha se “në të gjitha funksionet që kam patur, kam arritur të bëj ndryshime të rëndësishme. Sigurisht jo vetëm patjetër me ndihmën e të tjerëve dhe me shumë modesti them që po të filloj të numëroj do të duhej ta bënim bisedën me orë të tëra”. “Varet nga këndvështrimi, koha, unë kam arritur të bëj ndryshime të rëndësishme edhe si ministër Kulture edhe pse aty kam qëndruar për një kohë të shkurtër, edhe si kryetar i Bashkise, si kryetar PS-së edhe si Kryeministër. Besoj se në të gjitha këto etapa, kam qenë i prirur nga ndryshimi dhe kam udhëhequr procese që kanë sjellë ndryshim patjetër. Në njërin prej tyre, mund të them shumë, pasi nuk dua të ndaj një nga të tjerët sepse pesha e rëndësisë së ndryshimeve lidhet shumë me kontekstin dhe hallkat e një zinxhiri të caktuar. Nëse doni patjetër t’u them një, është se Tirana nuk do të ishte kjo që është nëse nuk do të isha unë kryetar bashkie”, theksoi Rama.

Më tej, Rama u shpreh se “si Kryeministër mund ta them pa frikë bazuar në fakte se në çdo fushë i është hapur ndryshimit rruga. Diku ai është më i dukshëm dhe më i avancuar, diku më pak i dukshëm, por në të gjitha fushat e mund të marrim çdo fushë që mbulon aktiviteti i qeverisë dhe mund të diskutojmë për thellësinë e ndryshimit, cilësinë por nuk mund të diskutojmë për vetë ndryshimin”. “Nëse nuk do të kishte qenë një prioritet i rëndësishëm që u shty përpara qysh në kohën kur PS ishte në opozitë dhe u shty përpara me vetveten me Partinë Socialiste, dhe nëse nuk do të kishte qenë PS dhe unë bashkë me të në drejtimin e këtij vendi në këto vite nuk do të kishim një nga 5 qeveritë me ekulibrin gjinor më të spikatur në klasifikimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të totë se ky është një ndryshim i rëndësishëm. Që do të thotë se ky është një ndryshim i qëndrueshëm, që do të thotë se sa i qëndrueshëm do të jetë në kohë, kjo mbetet për t’u parë. Por sigurisht koha kur Parlamenti i Shqipërisë, këshillat bashkiakë të Shqipërisë, kur qeveritë e Shqipërisë, ishin qeveri, institucione burrash, ku mezi gjeje tek-tuk ndonjë grua ose nuk e gjeje fare besoj se i përket së shkuarës. Ky është ndryshim”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “shumë gjëra për të cilat njerëzit flasin, pasi i kanë kaluar janë ndryshe nga se si ndodhin sepse është një proces në të cilin njeriu nuk është aq i qartë sa është në pozitat e atij që tregon ose që reflekton mbi procesin që ka kaluar”. “Në një farë mënyre është një proces ku aq sa ngjarjet të ndikojnë aq edhe ti përpiqesh të ndikosh ngjarjet , ndërkohë ndodh brenda teje një evolucion ku gjërat që ke parë në mënyrë të turbullt kthjellohen dhe gjërat të cilat ke menduar se i shikon në mënyrë të qartë turbullohen. Bilanci bëhet natyrisht në fund, por besoj që ka një të përbashkët në këto procese që është dimensioni i asaj që nuk mund të parashikohet dhe përcaktohet nga rrethanat, koha në të cilën ngjarjet ndodhin dhe nga njerëzit që ndodhen aty në atë kohë”, u shpreh Rama.

I pyetur se Shqipëria është etiketuar nga studiuesit si autokraci, Kryeministri Rama tha se “këtë se kam dëgjuar ndonjëherë edhe mund ta etiketojnë, por mua nuk më rezulton”. “Të vësh etiketa të tilla duhet të jenë të mbështetura në fakte dhe nuk nuk shikoj ushtrim të autokritetit në Shqipëri. Të thuash për Shqipërinë që këtu është autokraci, liria për t’ia futur kot është në nivele që nuk i kam parë më parë edhe falë rrjeteve siociale askush nuk paguan asnjë kosto përveç shoqërisë si e tërë dhe atyre që janë në funksione publike që marrin familjarisht nganjeherë të gjithë këtë ngarkesë futja kot”, tha Rama.