Kryeministri Rama gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Fierit, siguroi se ditën e hënë nis puna për ndërtimin e spitalit rajonal të këtij qyteti të premtuar nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Vendi ku pritet do të ndërtohet spitali quhet pylli i Levanit. Gjatë inspektimit te vendit ku do të ndërtohet spitali rajonal, kryeministri Rama shoqërohej nga kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi. Kujtojmë se gjatë vizitës së Ramës në Turqi, presidenti Erdogan premtoi se spitali në Fier do të ndërtohet brenda 7 prillit.
Nisim punën për Spitalin Rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq. Ky spital që do t’i shërbejë jo vetëm Fierit, do të jetë nga dita e parë pjesë e shërbimit tonë publik shëndetësor dhe natyrisht shërbimi do të jetë FALAS si në çdo spital publik të Shqipërisë, shkruan Rama.