Aktori i mirënjohur, Viktor Zhusti bëri pak ditë më parë një urim të ndjerë për kolegun e tij, Robert Ndrenikën. Përmes një postimi në rrjete sociale, Zhusti i drejtohej Ndrenikës si vëlla, ku i shpreh urimet për Vitin e Ri. Ndërkohë, mëngjesin e sotëm në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit”, Zhusti u shpreh se raporti me Robertin shkon përtej një kolegu, ndërsa tregoi dhe reagimin e këtij të fundit pasi u njoh me fjalët e shkruara kundrejt tij.
“T’i pyth syçkat”, ka thënë Roberti. “Raportet me Bertin dhe familjen e tij kanë qenë vërtetë më shumë sesa një vizitë tek miku ose kolegu. Nëna e Bertit, e ndjera ishte mësuese e nderuar dhe dinte shumë mirë greqisht. Ajo m’i shkruante letrat, kemi qenë bashkëkohës në Gjirokastër. Është një lidhje shumë e hershme përveç artit dhe një lidhje më njerëzore. Prandaj si të thuash jam përpjekur ta shpreh dhe ta përfshij këtë lloj marrëdhënie.“, u shpreh Zhusti.