Nga Rrogozhina, ku vijon turin e tij, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë të qartë humbjen në 25 prill. Sipas tij, këtë e vërteton lehtë fakti se as PD dhe as LSI nuk thonë gjysmë fjale për procesin e rindërtimit, madje për ta rindërtimi nuk ekziston.
Të bësh program ekonomik për të ardhur në qeveri dhe të mos thuash një fjalë për tërmetin, do të thotë se nuk ke ndërmend të fitosh, se po të besoje që do të fitoje, do t’i thojë dy fjalë për hallin më aktual që kemi. Fakti se tërmetin nuk e kanë fare në program, do të thotë: e para, se e dinë që s’do vijnë në qeveri, dhe e dyta, e dinë që më mirë s’e ne nuk e bën askush tjetër rindërtimin, u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ai shtoi se edhe Monika Kryemadhi, nëse do ta kishte seriozisht zotimin për bebet, do t’ua kishte dhënë 50 mijë lekëshin në vitet 2011-2015, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës së bashku me Lulzim Bashën.
Flasin për bebet… katër vjet në Bashkinë e Tiranës, si Mona, si Luli, nuk e dhanë çekun prej 50 mijë lekësh për bebet. Ende ka njerëz në gjykatë, që thonë: Pse s’mi dhatë ato lekë?! Këta e kishin shansin të falnin vilat, të jepnin lekët e bebeve, të bënin shtëpitë e tërmetit dhe të flisnin për tërmetin. Fakti që asnjë nga këto punë nuk i kanë në radar, do të thotë se as ata vetë s’e besojnë që do kenë shansin të qeverisin e t’i mbarojnë këto punë, u shpreh drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës.