Në ditën e saj të fundit si Ministre e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka zhvilluar një bisedë online me përfaqësues më të lartë në NATO dhe misionet paqeruajtëse në Kosovë, Afganistan, Letoni, Sudanin e Jugut dhe Bosnje-Hercegovinë. Veç urimit për festat e fundvitit, ministrja e Mbrojtjes është interesuar edhe për shëndetin e efektivëve dhe familjarëve të tyre, në këto kohë të vështira pandemie.

Tek unë do të keni gjithmonë, përveçse një mike shumë të mirë edhe avokaten tuaj më të flaktë, u shpreh gjatë bisedës Ministrja Xhaçka, ndërsa shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga çdo efektiv i FA, brenda dhe jashtë vendit. Në takimin online morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe gjeneralmajor Bajram Begaj. Aktualisht FA përfaqësohet me 200 efektivë në kuadër të misioneve të NATO-s dhe BE-së në disa vende të botës.