Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, pasi disa nga kandidatët e zgjedhur nga partitë për deputet kishin probleme me ligjin.
Ky vendim ka ardhur për shkak se këto subjekte politike nuk kanë larguar kandidatët me probleme, që ishin listuar nga KGJK-ja. Thirrjes për të hequr nga lista kandidatët që kishim probleme me ligjin iu përgjigjën pozitivisht PDK dhe LDK. Ky hap i tyre bëri që lista me rinovimet e reja të certifikohet nga organi i zgjedhjeve.
Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për KQZ-në, Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte zëvendësuar pesë kandidatë, ndërsa Nisma Socialdemokrate 12 kandidatë. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse palët mund të jenë të pakënaqur me vendimin. Periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt, ndërsa partitë kanë dhjetë ditë kohë për të bërë fushatë elektorale, përkatësisht nga 3-12 shkurt.