Presidenti i SHBA Joe Biden, më anë të një letre urimi, i kërkoi presidenti serb Aleksandër Vuçiç njohjen e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës. Kërkesë që nxiti reagime të shumta në vend dhe rajon. por kërkesa e Biden është theksuar edhe nga Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Beograd, James Hagengruber.
“Ish Presidenti Trump gjithashtu e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Në vitin 2019, ai i shkruan Presidentit Aleksandar Vuçiç për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Hagengruber për Tanjug.
“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, tha zëdhënës i Ambasadës amerikane në Serbi.
Hagengruber shton se Shtetet e Bashkuara duan që Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se një kthim mbrapa në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë.
Ai kujton fjalët e presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”.
Zëdhënësi i ambasadës shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve, do të shtonte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera dhe do të mbështeste qëllimin e të gjithë Evropës për të jetuar në paqe dhe liri.