Gjykatësi Ardian Dvorani ishte i ftuar ditën e sotme në “Top Talk” për të folur për vlerësimin e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me motivacionin për përkushtim kundër korrupsionit transparencës dhe llogaridhënies. Dvorani është shprehur se ndihet tepër i vlerësuar dhe krenar për këtë çmim dhe dëshiron ta ndajë me kolegët që në vite kanë bërë maksimumin. “Isha në dijeni që diçka po përgatitej, por jo nivelin mbi të cilin do vlerësohesha. Nëse është burokratik apo jo nuk mund ta them, SHBA bën gjëra të menduara mirë. Vlerësimi i DASH nuk lidhet me një çështje konkrete, por me gjithë veprimtarinë time. Ndihem krenar dhe i vlerësuar, por dua ta ndaj edhe me kolegët që në vite kanë bërë maksimumin”, tha ai.
Juristi Ardian Dvorani ka një histori të gjatë në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, por një angazhim shumë domethënës në Reformën në Drejtësi. Së fundmi ai është gjetur në sulmin e Presidentit Ilir Meta, për shkak të angazhimit të tij në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë pas reformës në drejtësi. Meta bëri edhe padi ndaj juristit Drovani. Dvorani shprehet se jo vetëm Presidenti po kushdo tjetër ka të drejtën të veprojë si të dojë dhe këto sulme nuk e shqetësojnë aspak. Dyrnjaja: Përse po ju sulmon kaq shumë presidenti i Republikës? Dvorani: Presidenti i Republikës dhe kushdo qoftë ka të drejtën e tij të veprojë ashtu si e vlerëson. Ky nuk është problemi im fare, raportet i kam me kushtetutën, ligjin dhe institucionet dhe mua nuk më shqetëson fakti si më vlerësojnë personat publik. Detyrimi im është që ashtu si në të kaluarën dhe në të ardhmen të vazhdojë të ushtrojë detyrimin tim gjyqësor. Nuk kam asnjë arsye të ndjek se çfarë deklarojnë politikanët apo funksionarë të ndryshme për këtë çmim. Vlerësimin tim e ka bërë DASH, është e sqaruar qartë. Diçka ka shkruar edhe Ambasada e SHBA, të tjerët po më komentojnë mua apo vlerësimin që më kanë bërë?
Presidenti Ilir Meta, në një deklaratë për media ditën e sotme e cilësoi fletëlavdërimi të Ramës, deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit që i jepte çmim vlerësues gjykatësit Dvorani.
Dyrnjaja: Presidenti e vlerëson thjesht një letër vlerësimi dhe ju pozicionoi në krah të Ramës. Dvorani: Unë përpiqem ti ndjek reagimit, është e drejta dhe detyrimet e mia. Po se çfarë kanë ndodhur sot si kam ndjekur.
Ky është problemi i tij dhe gjithsecili në funksionin e vet duhet të jetë i përgjegjshëm dhe i kujdesshëm për atë që po nxjerr nga goja.
Jam në dijeni që hetimi ka nisur. Unë nuk kam asnjë gjykim për hetimin që po bën Prokuroria e Posaçme, nuk më takon të bëj prokurorin për prokurorët sepse jam palë në atë proces dhe kam të drejtën dhe detyrimin që ti përgjigjem veprimeve dhe veprimtarisë që janë duke ushtruar prokurorët. Ata po e vlerësojnë çështjet”.
Në “Top Talk” u diskutua edhe rreth “betejës” mes presidentit dhe Dvoranit dhe opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias për sa i përket ngërçit të krijuar në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Dyrnjaja: Keni humbur betejën me presidentin në Venecia por keni fituar vlerësimin në SHBA. Cili është më i rëndësishëm për ju? Dvorani: Nëse shikohet me kujdes,Venecia ka trajtuar situatën e qëndrimeve në 2020 duke thënë që nuk kishte pse presidenti të mbante qëndrime. Ata kanë dhënë shpjegim që në situatën që ishte krijuar, mund të quhej e justifikuar dhe një sjellje ndryshe nga organet kompetente. Edhe në emërimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese vepruan normalisht sipas meje. Radha ishte e përcaktuar, të gjithë elementët që u kontestuan para një viti tashmë u quajtën normalitet Gjykata Kushtetuese. Nuk më takon të analizoj por kuadri normativ mori kohën e vetë. Më vonë përvoja e fituar tregoi që nuk kishim probleme me kuadrin normativ gjërat mund të funksionojnë sepse vullneti nuk ka munguar. Në reagimin që kryeministri Edi Rama bëri dje pas vlerësimit nga DASH për Ardian Dvoranin, shkruante se ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm për ata persona që luftojnë për Reformën në Drejtësi në vend, që ndodhet në një fazë kacafytjesh me të keqen, duke shtuar se Dvorani u godit harbutërisht, për faktin se nuk iu dorëzua presionit të së keqes.
Dyrnjaja: Maxhoranca ju ka dalë në mbrojtje me qëndrimet e saj. Mbrojtjen politike e keni të nevojshme? Dvorani: Unë kam të nevojshme të kem paketën ligjore përpara dhe një libër të kushtetutës dhe ti respektoj. Ata që më dalin në mbrojtje dhe më sulmojnë i respektoj. Secili është i lirë të mbajë qëndrimin e vet. Secili ka interesat e veta unë nuk mund të shfokusohem dhe ta bazoj jetën time personale mbi humorin e kujtdo qoftë. I dëgjoj dhe i respektoj, reflektoj aty ku ka vend për të reflektuar dhe hedh në kosh ato që janë për të hedhur.