Giorgio Chiellini po përjeton një lloj rinie të dytë te Juventusi: gjithmonë vendimtar me ndërhyrjet e tij, thelbësor për të korigjuar defektet e kaluara të repartit të pasmë, por edhe problemet që kanë prekur veçanërisht De Ligt, i saposhëruar nga koronavirusi. Kapiteni i Juventusit dha një intervistë për të përmuajshmen franceze “So Foot”, ku e fillon me një batutë përulësie, që përfshin edhe ish-bashkëlojtarin e tij, Barzagli:
“Për të fituar duelet me sulmuesit duhet të jeni pesimist dhe të parashikoni më të keqen. Ky është çmimi i rezervuar për lojtarë ‘normalë’ si unë ose Barzagli. Kini vëmendjen, Andrea ishte një mbrojtës shumë i mirë, por ne nuk jemi Sergio Ramos… apo Virgil van Dijk”.
Ai pastaj vazhdon të sqarojë “jo” ndaj Arsenalit në moshën 16 vjeç, kur veshi fanellën e Livornos: “Kur mendoj, them se u tregova budalla që e refuzova atë ofertë. Isha 16 vjeç, luaja në Serie C dhe mora një ofertë të madhe për afro 200 milionë lireta në sezon. Unë nuk u ndjeva gati. Pastaj, largimi do të kishte përshtypjen e tradhtisë ndaj Livornos”.
Midis refuzimeve të shkëlqyera të Chiellini-t është edhe ai ndaj Interit, gjithmonë kur ishte në moshë të re: “Një vit, ata më telefonuan më 31 janar, në orën 6 pasdite, duke më thënë: Duhet të nënshkruash për Interin. Unë refuzova. Isha në klasën e katërt, nuk doja të shkoja askund”.
Kapiteni bardhezi ka vlerësim dhe respekt për Zlatan Ibrahimovic, por kurrë frikë për “armikun më të mirë” që kishte në karrierën e tij: “Unë e respektoj shumë Zlatan, e respektojmë njëri-tjetrin. Ne ishim shokë, në sezonin tim të parë te Juve. Asnjëherë nuk kisha frikë të përballesha me të, kurrë nuk bëra një hap prapa karshi tij. Ibra tashmë kishte një forcë të jashtëzakonshme fizike. Pas kësaj, ai u bë “armiku absolut” i imi, kur u transferua tek Interi. Kjo vlejti edhe kur luajti me Milanin dhe ekipin kombëtar. “Armiku më i mirë” i karrierës sime është Ibrahimovic, pa dyshim”.