Kur kanë mbetur 83 ditë nga shprehja e vullnetit të shqiptarëve përpara kutive të votimit, të gjithë pyesin se cili do të jetë çelsi i fitimit të zgjedhjeve nga Edi Rama që kërkon të marrë një mandat të tretë dhe opozita që kërkon të vij në pushtet.
Përgjigjen e kësaj pyetje e jep raporti i Economist Intelligence Unit (Njësia e Inteligjencës pranë revistës prestigjioze angleze The Economist) publikuar më 1 Shkurt 2021 që disponohet nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu.
“Ne parashikojmë se zoti Rama do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhje. Ndërkohë PD dhe LSI vijojnë opozitarizmin përtej rregullave parlamentare ndërkohë që parlamenti aktual është kthyer si një vulë aprovimesh për qeverinë. Perspektiva e rizgjedhjes të Edi Ramës si kryeministër varet gjerësisht se si ai do të vijojë të menaxhojë krizën e Covid19 dhe pasojat”.
Për menaxhimin nga qeveria të pandemisë Covid19 The Economist thotë.
“Një tjetër triumf i Ramës është suksesi në përballjen me valën e parë të pandemisë. Qeveria zbatoi masa strikte që në fillim duke shënuar kështu relativisht pak raste gjatë Prill -Qershorit. Megjithatë numri rastve është duke u rritur dhe është më i lartë. Ne nuk parashikojmë një mbyllje të dytë por rritja e rasteve do ta detyrojë qeverinë të forcojë masat shtrënguese”.
Sipas The Economist nëse spiralja e pandemisë del jashtë kontrollit do të dëmtojë rimëkëmbjen e ekonomisë duke shtuar sfidat e Shqipërisë e pasigurinë e stabilitetit politik. Raporti sjell këtë parashikim se çfarë do të ndodhë me situatën politike në Shqipëri në harkun kohor 2021-2025.
“The Economist Intelligence Unit parashikon se paqëndrueshmëria politike që karakterizon Shqipërinë prej 2019-tës, ku pati protesta të dhunshme nga opozita, do të vijojë të paktën deri në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë ajo çfarë do të prodhojnë këto zgjedhje me pak gjasa do të zgjidhin ndasitë politike”.
The Economist mbërrin në përfundimin se kriza politike prodhuar nga opozita eklipsoi reformat e qeverisë Rama.
“Kriza politike e zgjatur veshi me hije arritjet e Edi Ramës që kur ai nisi qeverisjen ne 2013-tën. Këtu përfshihet vetting-u i përpiktë financiar e profesional dhe largimi gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar. Pavarësisht kësaj, së fundmi pozitat e zotit Rama janë forcuar”.
Top Channel