Këshilltari i Presidentit për Emergjencat Civile ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante. Mësohet se Shemsi Prençi nuk do të jetë më në kabinetin e Ilir Metës.
Pak kohë më parë Presidenca pati disa ndryshim. Edmond Panariti mori drejtimin e kabinetit, ndërsa Bahri Shaqiri la detyrën e këshilltarit të Metës për Sigurinë Kombëtare duke shpallur kandidaturën për deputet në Shijak nën siglën e LSI. Së fundmi mësohet se edhe Shemsi Prençi do të nisë garën si deputet i LSI-së në Durrës.
Pas dorëheqjes së Prençit, vetë Presidenti shkruan: “Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, z.Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen.
E falenderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizimin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite.
Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen”.