I ftuar në emisione të ndryshme, tepër aktiv sa i takon jetës televizive si dhe pjesë e debateve të shumta, Akil Pano është ndoshta pastori më popullor i Shqipërisë. Së fundmi, i pranishëm në emisionin sportiv “Paso”, në studion e Top Albania Radio-s, Pano rrëfeu detaje të panjohura më parë sa i takon jetës së tij private, nga ëndrra për t’u bërë futbollist te njohja me bashkëshorten. I rritur në një familje sportistësh, Pano numëron plot 7 vite një eksperiencë tepër interesante peshëngritjeje.

“Unë si nipi i Panajot Panos, në familjen tonë, djali i xhaxhait tim Ledjo luante futboll, djali i hallës luante me Dinamon, Ledjo me Partizanin, unë aspirohesha që të bëhesha futbollist. Madje kisha dëgjuar që babai im, vëllai i vogël i Panajotit, Kristofori kishte shkëlqyer më shumë sesa Panajoti dhe unë ëndërroja që të bëhesha po aq i madh sa të paktën xhaxhai im. Gjithsesi, kur unë shfaqa dëshirën për t’u bërë futbollist, familja ime tha që nuk do bëhemi të gjithë familje futbollistash dhe në një farë mënyre për të shprehur atë pasionin për sportin dhe një lloj revolte të brendshme, sepse ishte një ëndërr e madhe që unë doja të bëhesha futbollist, mendova që të filloja të eksperimentoja te këto sportet e rënda. Një ditë prej ditësh. babai më merr dhe më çon te klubi i Partizanit, së bashku ai më prezanton me një mikun e tij, mjeshtrin e sportit, trajnerin e njohur të peshëngritjes në Shqipëri, Hektor Shaqiri. Unë mbeta me ëndrrën për t’u bërë një futbollist, mbeta dashamirës i mirë dhe i madh i sportit vendas dhe të huaj, veçanërisht vendas”.

Po njohja me bashkëshorten, si ndodhi? “Me bashkëshorten time, me vajzën pra që u bë bashkëshortja ime e ardhshme, nuk jemi njohur as në plazh, as pranë palestrave ku unë stërvitesha, unë e kisha lënë sportin edhe unë e kam njohur në kishë. Gjithsesi unë në bisedat e para me të, kuptova që ajo nuk kishte asnjë lloj interesi, asnjë lloj pasioni, asnjë lloj afeksioni nuk tregonte ndaj sportit dhe unë isha mësuar që të isha në qendër të vëmendjes në familjen ku jetoja, mes miqve, mes shokëve dhe vura re që ajo ishte krejt indiferente dhe mbase indiferenca e saj, më tërhoqi dhe unë mendova çfarë ka gabim te unë që kjo vajzë nuk po më shikonte”.