Juventusi nuk arrin të mposhtë Veronën dhe barazon 1-1, në një ndeshje që tregoi edhe një herë sezonin e vështirë për ekipin që pothuajse prej një dekade dominon kampionatin italian.
Por nga ana tjetër, stoli ku ndodhet edhe Andrea Pirlo tregon gjendjen aktuale të Juventusit. Ake, Capellini, Di Pardo, Dragusin, Fagioli, Peeters, Pinsoglio, Rafia, ishin të rinjtë që përbënin zëvendësuesit e kampionëve në fuqi, me vetëm kanadezin Mc Kennie, lajmin e mirë të këtij sezoni, që mund të quhet lojtar i formuar.
Ndeshja u paraqit menjëherë e vështirë, kundrejt një ekipi shumë të vëmendshëm dhe që luan si kolektiv, por sërish Cristiano Ronaldo në fillim të pjesës së dytë kishte mundësuar avantazhin bardhezi. Por kur Verona u sul në kërkim të barazimit, të metat e Juves në mbrojtje u bënë të dukshme, dhe barazimi i Barak u duk pothuajse i pashmangshëm, me Veronën që pati edhe disa raste të tjera.
Juve mbetet në vendin e tretë përkohësisht, por mund të kalohet nga Roma dhe të barazohet me Atalantën në rast fitoreje të këtyre ekipeve. Ndërkohë, në rast trepikëshi kundër Genoa, Interi do të shkëputej me 10 pikë.