Kosova feston sot 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, dy ditë pas zgjedhje parlamentare, ku fitoi bindshëm Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin. Më 17 shkurt 2008, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u kontestua nga Serbia e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në korrik të vitit 2010 kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Nga viti 1999 kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike – Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë.
Në këtë ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e saj qendrore dhe ato lokale. Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Manifestimi qendror do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa nën përkujdesjen e u.d. presidentit së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet edhe një pritje shtetërore. Gjatë ditës do të ketë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Do të mbahen edhe aktivitete sportive si Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës në Prishtinë, Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes. Në Han të Elezit, Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-Pongut Prishtinë, Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike në Viti. Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë. Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, KK i Prizrenit mban mbledhje solemne dhe ndan dekoratën “Nderi i Qytetit” për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Bujar Gjurgjealën, ndërsa mbledhje solemne do të mbahen edhe në Komunën e Skenderajt, Podujevës dhe komunat e tjera.