Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka deklaruar të premten se kandidatit të VV-së për kryeministër, Albin Kurtit nuk do t’i vijë më shansi që të jetë në pushtet e rrjedhimisht edhe të rishikojë marrëveshjen e Uashingtonit. Hoti, pas vizitës që pati në “Bardha Akademi”, tha se Kurtit i kanë dhënë njëherë shansin që të jetë në pushtet, porse gjatë 52 ditëve sa ishte në pushtet ka shkelur dy herë Kushtetutën.
Sa i përket deklaratës së Kurtit se do të shfuqizojë vendimet e Hotit kur të vijë në postin e kryeministrit, ky i fundit tha se vendimet e tij janë të pakontestueshme. “Qytetarët nuk do t’ia japin më shansin që të jete në pushtet. Vendimet që i kam marrë unë s’ka kush që i konteston. Imagjino të kontestohet marrëveshja e Uashingtonit”, u shpreh ai.