Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet në spitalin rajonal të Fierit. Ai foli për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu duke thënë se është e lumtur sepse gjithçka po shkon në rrugën e duhur. Rama theksoi se i gjithë ky proces do të sjellë fundin e “Tireve” duke sjellë një reformë në shëndetësi.
Edi Rama: I lumtur sepse gjithçka po shkon sahat. Ndërveprimi mes gjithë skuadrës së përkujdesjes nga ana e qeverisë dhe kompanisë është sahat dhe mbi të gjitha, ajo që është shumë e rëndësishme për mua dhe nuk duket është puna mes dy ministrive. Sot vjen grupi që ka shkuar atje për të sistemuar gjithë skemën si do funksionojë, do të kemi 50 personel qe vijnë nga Turqia. Do të jetë qendra e parë e autonomisë spitalore. Menaxheri, stafi drejtues, shefat e pavijoneve, mjekë të specializuar, kryeinfermierë, të gjithë turk dhe skuadra e menaxhimit do të bëjë përzgjedhjen e 320 bluzave të bardha në Shqipëri. Pas përzgjedhjes do të kenë dhe një grup kandidatësh të mundshëm për të marrë drejtimin nesër. Kjo do të thotë fundi i Tireve në skutat e sistemit sepse atë po diskutonim kur Turqia filloi reformën e shëndetësisë e nisi si ne. Edhe ata e kishin praninë e Tireve lart e poshtë, ryshfetin e qytetarëve që ankoheshin dhe nuk denonconin. Pra krijuan bazën me të cilën krijuan sistemin.
Besoj që në 7 vjet e kusur kemi bërë për shëndetësinë më shumë se në dekada të tëra. Prania e këtyre qelizave kancerogjene të quajtura Tire në sistem, besoj se vjen momenti kur kemi instrumentat për ti eliminuar. Sa i përket pjesëmarrjes së presidentit turk Erdogan në inaugurimin e spitalit rajonal të Fierit, Rama tha: “Nuk e di, por jemi në kontakt dhe ai e ndjek. Pavarësisht se ai e ndjek, mobilizimi nga Ministria e Shëndetësisë është fantastik.”