Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett. Ky takim erdhi dy ditë pas mbajtës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Vetëvendosje doli partia e parë.

Në këtë takim Albin Kurti që është edhe kandidati për kryeministër, ka thënë se së shpejti Kosova do të ketë qeverinë e re.
Nëpërmjet një njoftimi për media nga Vetëvendosje thuhet se në këtë takim është folur edhe për mundësin e bashkëpunimit për projekte konkrete të cilat do të ndihmojnë shtetndërtimin demokratike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. po ashtu është theksuar edhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett të shoqëruar nga këshilltarja e tij për çështje politike Amy Carnie, i priti sot në mëngjes në takim Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj. Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kosnett shkroi se uroi Lëvizjen për fitoren ndërsa tha se temë diskutimi ishte atë çfarë e pret qeverinë e ardhshme.

Gjithashtu, ambasadori kërkoi që sa më shpejtë të konstitutohet Kuvendi i ri i Republikës dhe të krijohet qeveria e re.

“Kënaqësi të takoj Albin Kurtin dhe të uroj Lëvizjen Vetëvendosjen për fitoren e saj dhe diskutuam për rrugën e Kosovës përpara. Ne i nxisim partitë të punojnë shpejtë për të krijuar Qeverinë dhe Kuvendin që t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe në adresimin e sfidave”, shkroi Kosnett në Twitter.