Romelu Lukaku ka thënë se festimi i tij kontrovers pas golit në fitoren e Interit 3:0 kundër Milanit u bë në gjaknxehtësi e sipër. Lukaku me një gol dhe Lautaro Martinez me dy i ndihmuan Interit ta mposhtë Milanin bindshëm 3:0 dhe ta rrisë në katër pikë epërsinë në krye të tabelës në Serie A ndaj rivalit të qytetit në fundjavë.
Pasi e shënoi golin e tretë që e vulosi triumfin e zikaltërve, Lukaku festoi duke bërtitur “Unë jam më i miri”. Ai ishte goli i 17-të i tij në Serie A këtë sezon dhe festimi i tij u tha se i drejtohej Zlatan Ibrahimovicit, me të cilin belgu ishte përleshur një muaj më parë. 27-vjeçari ka shpjeguar tani se festimi kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “Thashë shumë gjëra të çmendura për shkak të adrenalinës”, u përgjigj Lukaku i pyetur nga një ndjekës i tij në Twitter.