Ylli Manjani komenton në “Top Talk”, vlerësimet e presidendit, Ilir Meta për të larguarit nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në konferencën e sotme për shtyp, presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se LSI do të dalë më e fortë se më parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërkohë që konsideroi të larguarit nga Lëvizja Socialiste për Integrim si “llumi” që po shkon drejt Partisë Socialiste.
Por, si e komenton Ylli Manjani këtë koment të presidentit dhe ish-kryetarit të LSI-së? “E kam shumë të vështirë ta besoj që ky është leksiku politik i Ilir Metës. Aq më tepër me fjalë të tilla. Të larguarit nga LSI-ja nuk janë larguar nga partia, janë përzënë, në një mënyrë apo tjetër iu është treguar dera. LSI-ja nuk duhet të ketë koment për zgjidhjet e kujdo që ka shërbyer në LSI dhe nuk është më pjesë e saj. Kështu e do rregulli i mirënjohjes, sepse secili nga ata ka kontribuar sa ka ditur, si ka ditur. Etiketimi ‘llum’ është i tepërt“, thotë Manjani.