Nga Mero Baze
Eshtë pak argëtuese të shikosh Ilir Metën të japë leksione gazetarie, ndërkohë që trauma më e madhe që ka pësuar në jetë dhe që duket se nuk e ka rikuperuar dot, i ka ardhur prej gazetarisë. Publikimi i videos së tij me zë dhe figurë, duke bërë pazare milionash, i ka lënë atij, ende idenë fikse se gazetaria duhet mbajtur nën kontroll me këshilla, me para, pse jo dhe me kërcënime. Këto të fundit nuk i kurseu sot për gazetën “TemA”, që kur u ngrit në mëngjes e deri sa u err. Duket që kemi hyrë në orët e pagjumësisë së tij. Nuk është se i dëgjoj për herë të parë këto këshilla nga Ilir Meta. Kam lexuar përgjimet e Ilir Metës me një pronar televizioni, përgjuar zyrtarisht nga Prokuroria, dhe aty i kupton më së miri këshillat dhe idetë e tij për shtypin.
Aty e kupton se si ky këshillon pronarin t’i vërë gjobë 100 mijë euro një politikani kundërshtar me të, se si e udhëzon të manipulojë sondazhin italian dhe të nxjerrë LSI lart, si e urdhëron të sulmojë Sokol Olldashin dhe të mbrojë Lulzim Bashën, gjatë fushatës mes tyre, e plot këshilla të tjera të këtij tipi. Janë pak a shumë si këshillat që jepte sot, por më konkrete, duke e vënë veten në rolin e një pronari real televizoni, siç në fakt është.
Ndaj nuk është se kam ndonjë kuriozitet për konceptin e Ilir Metës për shtypin. Jam shumë i qartë. Sulmi ndaj gazetës nga një figurë që ka konsensus kombëtar si politikani më i korruptuar i historisë së Shqipërisë, është po ashtu një lajm i mirë për ne. Problem do të ishte sikur të na lavdëronte. I shqetësuar pse ne i kemi publikuar radhazi disa video e foto nga takime të paligjshme elektorale, dhe në kundërshtim edhe me rregullat e pandemisë, i kanë krijuar idenë fiske se ne po e ndjekim nga pas. Në fakt nuk po e ndjekim. Njerëzit e tij po na i nisin, duke dëshmuar se janë marrë peng prej tij, në një fushatë donkishoteske, nga e cila ai do të humbasë dhe ato pak vota që i kanë mbetur.
Ndaj dhe ne jemi dakord si gazetë që ai të vazhdojë të bëjë fushatë në emër të LSI-së. Kjo është në favor të shoqërisë, pasi është e vetmja mënyrë që shoqëria jonë të shpëtojë nga LSI. Por ajo që shikoj, është meraku që Ilir Meta ka për Qarkun e Vlorës. Pesë vite më parë, kur Ilir Meta dërgonte çanta me para për disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për të eleminuar mandatin e Koço Kokëdhimës dhe për ta zëvendësuar me “Pashain” e tij në Sarandë, nuk e kishte këtë shqetësim.
Problemi që ai ka tani në Qarkun e Vlorës, është se nuk ka më asnjë mbështetje, dhe i gjithë investimi kundër Kokëdhimës, për ta zëvendësuar me “Pashain” e tij, tani ka ikur dëm. Gazeta “TemA” mund ta dëshmojë këto përpjekje të dikurshme të Ilir Metës, por nuk e ndihmon dot, t’i kthejë “fuqinë” që i ka humbur nga Saranda deri në Vlorë. Ndaj na duket qesharak dhe paranojak sulmi ndaj gazetës dhe fushata e tij që më 25 prill të jetë referendum kundër gazetës “TemA”, dhe mezi e presim atë ditë. Por meqë Ilir Meta ka vendosur të japë këshilla publikisht për botuesit e shtypit, e ndjej detyrim t’i kujtoj se drama e tij reale, është se pronarët e shtypit që janë luajalë me të, e shikojnë Ilir Metën si bankomat, pra nuk presin të dëgjojnë se çfarë nxjerr nga goja, por çfarë nxjerr nga xhepi.
Kurse të tjerët e vëzhgojnë se çfarë fut në xhep, dhe jo çfarë përpiqet t’u fusë atyre në kokë. Ndaj lodhet kot!