Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e Lungomares në Sarandë. I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, si dhe nga disa deputetë të PS-së, Rama tha se këtë sezon turistik Saranda do t’i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh e me një plazh të risistemuar, përgjatë një shëtitoreje plot hapësirë në një vijë 1.1km.
Kryetari i bashkisë tha se Sarandës i ka munguar një investim i tillë, dhe se tashmë kjo do të kthehet në një atraksion turistik. ‘Sarandës i ka munguar një investim i tillë. Qytetarët që e vizitojnë çdo ditë kanë impresione shumë të mira. Do të bëhet një plazh i bukur. Ky është një atraksion tashmë.’- tha Gurma.
Po ashtu Rama u ndesh edhe më një qytetar i cili ishte me Partinë Demokratike dhe po lundronte me kanoe në ujërat e detit Jon.
Rama: Si je? Ndalo të bëjmë një fotografi bashkë!
Qytetari: Kryetarin e bashkisë, deputetin e zonës dhe ministrin e Turizmit i kemi shumë të mirë.
Rama: Hë çfarë të bëri PD ty?
Qytetari: Më degjeneroi fare!
Rama: Dhe ti prap e do!
Qytetari: Edhe gabime të bëjë, e dua.
Rama: Ti prap me PD-në je. Po duhet të vinim ne që ju të zbuloni detin se ato nuk dinë as not.
Foton nga takimi me banorin Rama e ndau edhe në Instagram, ku nuk la pa thumbuar edhe Partinë Demokratike.
“PS-ja dhe PD-ja, moment komunikimi me një demokrat”, shkruan Rama krahas fotos, duke dashur të krahasojë nivelin mes dy partive.