Zgjerohet harta e vaksinimit antiCOVID në territor. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër vaksinimin në qytetin e Fierit për personelin shëndetësor dhe të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve.
“Sot fillojmë edhe vaksinimin në Fier, për të gjithë stafet e urgjencave, reanimacioneve, kirurgjive dhe kështu duke u shtrirë në gjithë stafin e spitalit si edhe në spitalet bashkiake”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka theksuar se po vijohet me ritme të larta vaksinimi antiCOVID
“Vetëm sot kemi vullnetin që të bëjmë mbi 1 mijë vaksina, pra janë 500 në Tiranë, janë rreth 200 vaksinime në Shkodër, janë 200 vaksinime në Vlorë, në Fier kemi 130 vaksinimet e para, ku veç spitalit, vijojmë edhe tek shtëpia e të moshuarve”, tha Manastriliu.
Duke ju referuar vaksinimit të personaliteteve, Kryeministri Edi Rama tha:
“Kur folëm për personalitetet, kishin parasysh për përjashtime nga kategoria, por në fakt në kemi qenë qartësisht sipas planit dhe flitet për disa personalitetet që janë në atë kategori dhe janë +80 vjeç”, tha Kryeministri Rama.
Duke ju referuar dhe praktikave të ndjekura në vende të tjera të Botës, Manastirliu tha se fushtat e vaksinimit do të vijojë me personalitetet, për të rritur më tej informacionin dhe ndërgjegjësimin në popullatë.
“Në të gjitha fushatat e vaksinimit kudo në Botë janë figura të rëndësishme, personalitete që shërbejnë ne fakt dhe për të motivuar të tjerët që të bëjnë vaksinimin”, tha Manastirliu.
Deri tani janë vaksinuar mbi 3 mijë mjekë, infermierë dhe të moshuar dhe procesi do të vijojë me ritme më të shpejta. Manastirliu ka bërë me dije se përveç qendrave të vaksinimit të përqëndruar, janë krijuar mjedise brenda strukturave të caktuara spitalore, për të bërë një vaksinim më të shpejtë, kapilar në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave të tjera procesi i vaksinimit do të shtrihet edhe në kategorinë +80 vjeç.