Nga Alfred Peza
Po e përjetojnë fitoren e “Vetëvendosjes” në Kosovë, si të vetën në Shqipëri. Po i gëzohen triumfit të Albin Kurtit në Prishtinë, si të ishte e Lulzim Bashës në Tiranë. Po e festojnë fitoren e 14 shkurtit, si të ishte rezultati i tyre i ëndërruar për 25 prillin.
Humorin ua prish vetëm ikja e Isa Mustafës atje, sepse u kujton Sali Berishën këtu. Bëjnë sikur nuk po e shohin as daljen e elitës së vjetër politike të pasluftës nga skena, sepse u kujton fatin e ardhshëm politik të Ilir Metës. Urojmë të mos u kujtohet se Albin Kurti dhe “Vetëvendosja”, janë të majtë, se më pas nuk dihet se çfarë mund tu ndodhë… E gjitha kjo mund të quhet ndryshe; opozitokraci. Është ajo sjellja tipike opozitare, që mungesën e fitoreve elektorale të Lulit dhe Monës, e kompensojnë duke u gëzuar edhe më shumë se Albini e Vjosa vetë!