Nisur nga situata e krijuar për shkak të motit të keq, me prezencë të akullit, borës dhe ujit në të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale në të gjithë vendin, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin këshillat dhe udhëzimet e Policisë rrugore dhe të autoriteteve të tjera.

Në njoftimin për shtyp, policia apelon që drejtuesit të vendosin gomat e dimrit në automjetet e tyre, të vendosin zinxhirët para se të fillojnë lëvizjen me automjet, pasi punonjësit e Policisë nuk do të lejojnë qarkullim e automjeteve pa zinxhir, të vendosin rripin e sigurimit si dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Gjithashtu, policia apelon që të kufizojnë në maksimum shpejtësinë, pasi në të gjitha akset rrugore ka prezencë të akullit dhe të borës, gjë që rrit rrezikun e përfshirjes në aksidente rrugore.

Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore nacionale, në qytete dhe në qendrat e njësive administrative, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke operuar në terren, në koordinim e bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse, për normalizimin e situatës së krijuar si pasojë e motit të keq.

Për çdo problem apo informacion mund të telefononi në numrin pa pagesë 112 ose shkruani në Komisariatin Dixhital, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm.