Porti aktual i Durrësit që është një gangrenë në mes të qytetit do të transformohet në një port turistik nga më të mëdhenjtë në Mesdhe ku vetëm për ndërtimin do të investohen mbi 2 miliardë dollarë. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përjavshme për mediet “Ekonomia në Fokus”, me temë – “Rindërtimi”. I pyetur nga gazetarët lidhur me kandidimin në Durrës, Rama tha se “çështja e borxhit lidhet me origjinën time, jetën time, kujtimet e mia, me mua personalisht me Durrësin dhe lidhet edhe me faktin që Durrësi ka një potencial të jashtëzakonshëm ende për tu shfrytëzuar dhe në kushtet kur Vlora ka bërë shumë përpara, Durrësi duket padrejtësisht sikur është shumë më mbrapa, por nuk është shumë më mbrapa, por ka nevojë për një shtysë të re”.
“Ky është borxhi në sensin personal dhe të interesit të madh të përbashkët jo vetëm për durrsakët, por për të gjithë Shqipërinë. Durrësi ka potencialin të jetë një motorr i pazëvendësueshëm ekonomik i Shqipërisë”, – shtoi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “sot ne në Durrës e kemi vendosur një bazë të fortë ndryshimi, sepse Durrësi ka shumë probleme siç ka problem Shqipëria në çdo sektor, po të kthehemi mbrapa e të kujtohemi për Durrësin e përpara 7-8 viteve atëherë do të shohim se ndryshimi është i konsiderueshëm, pra ka një bazë. Tani ka ardhur koha që Durrësit ti jepet një shtytje shumë e fortë”. “Transformimi i portit aktual të Durrësit që është një gangrenë në mes të qytetit në një port turistik nga më të mëdhenjtë në Mesdhe ku vetëm për ndërtimin do të investohen mbi 2 miliardë dollarë dhe paralelisht me këtë ndërtimi i një porti të ri të tregtar në anën tjetër ku standardet do të jenë 100% më të larta se këto të papranueshmet që janë sot”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se “bashkëngjitur me zonën e re ekonomike që nuk është më një vizion, një ide, por një mundësi konkrete, janë dy pole zhvillimi që Durrësin do ta çojnë në një pol tjetër, por do të impaktojnë gjithë ekonominë e vendit tonë”.