Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, puna në kantierin e spitalit Rajonal të Fierit nuk ka ndaluar dhe brenda 3 muajve do të jetë gati, premtim ky i presidentit turk Erdogan. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se ka nisur hedhja e themeleve për ndërtimin e këtij spitali me mbështetjen e qeverisë së Turqisë. “Në kantierin e Spitalit Rajonal të Fierit, puna nuk rresht asnjë moment. Nisëm sot, pavarësisht reshjeve të dendura, hedhjen e themeleve në seksionin B. Punë, Jo Gjumë”, shprehet Balluku duke publikuar edhe foto nga kantieri në spitalin Rajonal të Fierit.
Spitali do të pozicionohet ngjitur me autostradën për të patur kështu akses direkt dhe të lehtë si për qytetarët, ashtu dhe për furnizim. Ky spital do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar. Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve do të kryet në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.
“Do të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve publike të Republikës së Shqipërisë. Do të shërbejë me të njëjtat standarde në aspektin financiar, nuk do ketë asnjë ngarkesë për qytetarët. Do të jetë shërbim falas, siç është në të gjithë spitalet sot publike dhe për një periudhë kohe do të bëhet në këtë formë, deri kur të transferohet komplet nga pikëpamja e menaxhimit dhe nga pikëpamja e drejtimit të pavijoneve tek mjekët dhe administratorët tanë”, ka bërë të ditur më herët Kryeministri Edi Rama.