Kryeministri Edi Rama ka folur për vaksinën ruse dhe kineze duke sqaruar se Shqipëria nuk ka hedhur hapa formalë pasi nuk janë të autorizuara dhe nuk kanë sasi në dispozicion.
Sa i përket zërave se bëhet fjalë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, Rama theksoi se nuk ka të bëjë aspak me këtë dhe sado të rritet cmimi, nuk do të pengojë qeverinë që të sigurojë dozat e duhura për të vaksinuar cdo shqiptar kundër Covid-19.
Edi Rama: E kam ndjekur dhe këtë debat dhe dua të bëj një sqarim për të gjithë. Askush të mos mendojë se vaksina kineze apo ruse është në tezga dhe të paraqitesh që të paguash për ti marrë. Nuk është kështu. Dhe ndonjë shtet që ka deklaruar marrëveshjen, nuk ka marrë gjë. Merrni numrin e të vaksinuarve në Rusi. Nuk është i tillë që sasitë në dispozicion janë të mëdha. Mbase është keqkuptuar në një formë adekuate ajo cka unë kam thënë, duke harruar atë që kam theksuar që në krye të herës që nuk kemi asnjë arsye në botë që nuk kemi asnjë dyshim për vlerën e këtyre vaksinave, por nga njëra anë janë ende të paaprovuara në nivelin e OBSH-së.
Kjo nuk do të thotë se po u rrimë larg dhe nga ana tjetër, nuk po mendojmë dhe nuk kemi arsye të mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE, kemi ndonjë precedencë, ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Kështu që nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyeja është në këto që thashë. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal, por një luftë politike në të gjithë planetin për vaksinën. Ju e shihni dhe këtu që hidhen lloj lloj tezash dhe dënglash. Është luftë ekonomike dhe tregtare se nuk ka sasi.
Është dhe luftë që varet dhe nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një tjetër dhe nga raportet personale. Duket çudi, por varet dhe nga raportet personale. Në të gjitha rastet, dua ta bëj të qartë se ne nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formal drejt këtyre dy burimeve se jemi të vetëdijshëm se nuk kanë arsye objektive që të na çojnë në këto rezultate.
Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme, mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara dhe efektet janë shumë pozitive. Kështu dhe për vaksinën ruse janë fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv. Por shihni vendet që kanë kthyer kokën në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë akoma vaksinën dhe ne këto analiza i bëjmë.
Një gjë duhet ta dinë të gjithë, nuk është çështje parash, çmimet po rriten se kërkesat janë të ethshme dhe oferta e vogël. Sado të rriten çmimet, nuk do lëmë një shqiptar të vetëm të presë përtej asaj që kemi mundësi të bëjmë. E them që t’i them njerëzve që mendojnë se është çështje fuqie ekonomike e buxheti, jo, nuk janë në treg. Nuk ka dyer të hapura që janë para nesh dhe nuk i kapërcejmë.