Teksa ka folur nga aeroporti “Nënë Tereza” aty ku presin mbërritjen e dozave të vaksinës Pfizer, kryeministri Rama deklaroi se qeveria shqiptare është në komunikim me një shtet tjetër për mbërritjen e 360 mijë dozave të AstraZenecas.
Ai tha se këto doza ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga vendi fqinj, por qeveria shqiptare vijon komunikimin në mënyrë që në ditët në vijim ajo të realizohet.
“Vazhdojmë me lëvrimin e një sasie tjetër nga Pfizer. Është e rëndësishme që të shpjegojmë ecurinë e kësaj situate sepse fillimisht mbërritën 1170 doza. Sot mbërrijnë 7020 doza dhe sipas skedulit të ri të dhënë nga kompania pas atij momenti bllokimi, vazhdojmë javët në vijim për të përmbyllur brenda marsit të gjithë dozat që kemi deklaruar fillimisht. Ajo që është e rëndësishme të shpjegohet për të kuptuar qytetarët që presin vaksinën është se ndërkohë ne jemi intensivisht në komunikim për të arritur një marrëveshje me AstraZenecan. Përveç komunikimit të drejtëpërdrejtë, komunikimet po bëhet dhe me shtetet e tjera. Kemi marrë konfirmimin nga një shtet mik për 360 mijë doza të AstraZeneca-s. Nuk dua të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi vulosur marrëveshjen, pasi në një situatë si kjo, çdo fjalë mund të duket si propagandë. Konfirmimi është si rezultat i një komunikimi intensiv dhe shpresoj që në ditët në vijim të kemi një kontakt të drejtëpërdrejtë me qeverinë e këtij shteti dhe aty gjithçka të jetë publike” – tha Rama.