Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me banorë të Njësisë 8, ku tha se edhe rrugicës së Lulit dhe Joridës i është rritur vlera e pronës falë punës së Bashkisë.
“Kjo njësi është etaloni i çfarë do të thotë punë e mirë, me mendjet dhe me zemrat e njerëzve. Ishte bastioni i PD, shtëpia e Lulit, shtëpia e Joridës, dhe kanë dy mandate që humbasin sepse nuk punuan. Kjo nuk ndodh aforfe! PD-ja, që gjithmonë e më shumë po zbret në këtë njësi, sa u detyrua edhe Luli të ikë, edhe Jorida iku nga zona. Pra, nuk kthehen dot te shtëpia e tyre se nuk i voton rrugica e tyre”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se edhe në lagjet e reja që po ndërtohen, si “5 Maji” dhe Kombinati, banorët po kërkojnë shtëpitë në vend të parave kesh, sepse e dinë që vlera e tyre vetëm rritet. “Është rritur vlera e pronës, ka vajtur 790 euro metri katror tek Bregu i Lumit, se po bëhet edhe shkolla e re, rruga e re, po vjen edhe lagjja e re. Si tek njësia 8, ashtu edhe tek 4 dhe 9, e gjithë zona aty ka marrë një supervlerësim. Njerëzit vetë po thonë mos m’i jep kesh, m’i jep në metra katrorë, sepse e dinë që rritja e vlerës së pronës është më e madhe se interesi në bankë, më e madhe se bono e thesarit. Pra, edhe kundërshtarët tanë – ç’rëndësi ka, Luli, Jorida, Rimi i kioskave të “Vojo Kushit” – edhe ata që kanë luftuar kundër nesh, janë bërë sot më të pasur falë punës tonë”, përfundoi Veliaj.
Ai tha se opozita po kandidon humbësa në këto zgjedhje, duke menduar se njerëzit harrojnë. “Sjellin Rimin e patentave në Tiranë, që po i bie mbrapa SPAK-u për të gjitha vjedhjet e poshtërsitë aty, si oferta më e mirë – pra humbi në Dibër dhe po na e sjell në Tiranë, Jorida humbi tek Njësia 8, e kanë çuar në një njësi tjetër, Grida humbi në Shkozë, duke shitur apartamentin nga 3-4 herë, e kanë çuar tani në Kavajë e Rrogozhinë – Pse? Sepse kanë vënë bast që njerëzit harrojnë, që njerëzit nuk mbajnë mend, se njerëzit janë budallenj, që kanë sklerozë, që vuajnë nga amnezia”, theksoi ai.
Kryebashkiaku tha se nuk i vjen mirë që partitë e tyre po shkërmoqen, por kjo ndodh sepse ata janë në gjumë. “Na gëzon fakti që gjithmonë e më shumë njerëz po binden se rruga e drejtë është puna dhe jo gjumi. Nëse kjo është bindja që ndajmë, unë them se do kemi një fitore spektakolare te Njësia 8”, tha Veliaj.