Barcelona mundi Elche me rezultatin 3-0. Në rikuperimin e kësaj ndeshjeje të prapambetur të La Liga-s, protagonist absolut në fushë, edhe një herë, ishte Leo Messi; autori i dy golave të parë të katalanasve. Sidoqoftë, ky nuk ishte lajmi kryesor i mbrëmjes së djeshme. Në fakt, argjentinasi u bë “viral” për diçka tjetër, që ndodhi në fund të lojës.
Portieri i Elche, Edgar Badia iu afrua yllit të Barcelonës për t’i kërkuar fanellën, të cilën Messi ia dha menjëherë. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme; por menjëherë pas tij, është gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë”, që i kërkon kundërshtarit fanellën e lojës, me numrin 1, duke e lënë pa fjalë portierin që i shënoi dy gola. Shprehja e fytyrës, posa kuptoi se Messi po i kërkonte fanellën, është vërtet e bujshme dhe bëri xhiron e botës përmes internetit.