Në një takim online midis Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Ekonomisë Anila Denaj dhe Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen Eduart Shalsi me bizneset Start Up dhe sipërmarrjet e reja lidhur me inovacionin, u theksua rëndësia që këto projekte zënë në zhvillimin jo vetëm teknologjik por edhe ekonomik të vendit. Disa hapa të ndërmarra nga qeveria shqiptare janë ndihmëse të drejtpërdrejta në zhvillimet e mëtejshme në këto projekte. Një nga nismat është politika e qeverisë për tatimin mbi fitimin në masën 5%, konsideruar si një lehtësim i rëndësishëm për operatorët në fushën e Teknologjisë së Informacionit e cila gjithashtu përmirëson klimën e të bërit biznes.

Hapësira likuiditeti në këto biznese për investime të reja është edhe politika e re fiskale me 0 tatim mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milion lekë. Në këtë aspekt dhe aprovimi i ligjit të ri të pagesave i hap rrugën një tregu të ri zhvillimesh teknologjike, duke mundësuar pagesat e menjëhershme dhe përdorimin e sistemit të pagesave nga aktorë jo banka, gjë që sjell zgjerim të tregut me aktorë të rinj duke mundësuar edukim financiar të popullatës por edhe formalizim të ekonomisë.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Z. Shalsi u shpreh se prej një viti është punuar për përgatitjen e një draft ligji që ka si synim rregullimin e fushës e startup-eve. Ky ligj, falë edhe rekomandimeve të aktorëve pjesëmarrës për konsultim, është në tryezën e qeverisë, edhe më i kompletuar se më parë. Ligji për rregullimin në fushën e startup-eve parashikon një sërë lehtësirash fiskale, duke i përjashtuar këto nisma nga taksat për mjedisin apo taksa e tabelës. Ligji gjithashtu përfshin shërbime të inkubimit dhe mentorimit dhe mbështetje të projekt-ideve apo edhe shërbime informacioni dhe konsulenca fiskale e ligjore. Kryeministri i vendit, Z. Rama deklaroi se para disa vitesh nismat e këtij lloji ishin nisma individuale, pa vëmendje dhe mbështetje shtetërore. Ndërkohë sot, në sajë të fondeve të veçanta vendosur për projektet e kësaj natyre, janë 150 startup-e përfituese falë edhe mbështetjes nga Bashkimi Europian.

Z. Rama duke pohuar se ky sektor ka një potencial real për zhvillim, deklaroi se në Vizionin e Shqipërisë 2030, pesha që zë ky aspekt i jetës ekonomike dhe sociale do të jetë shumë herë më i madh se në të shkuarën. Kryeministri solli në vëmendje hapjen e qendrës TUMO në Tiranë si dhe procesin për kthimin e Piramidës në një hapësirë me standarte europiane për iniciativa të tilla dhe për ta kthyer godinën në një qendër të madhe revolucioni teknologjik. Në këtë nismë qeveria ka hapur në Korçë një program fleksibël për mbështetjten e startup-eve, në Shkodër gjithashtu, dhe po mendohet krijimi i një rrjeti të tërë në të gjitha qendrat e qarqeve të Shqipërisë, në mënyrë që të rinjtë të përfshihen drejpërdrejt duke gjetur strehë për nismat e tyre, por dhe të trajnohen profesionalisht.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka kaluar në parlament një legjislacion të plotë për të rregulluar aktivitetin e monedhës digjitale, një aspekt i parë me interes edhe nga partnerë të jashtëm, i cili ndihmon dhe lehtëson procedurat e pagesave në shërbimet teknologjike. Kjo qasje e qeverisë shqiptare ndaj rregullimit të kuadrit ligjor në fushën e startup-eve dhe lehtësirave fiskale të ofruara, synon të sjellë më afër tregun e huaj, në mënyrë që profesionistët e rinj ta kenë më të lehtë ta aksesojnë, duke përmbushur kërkesat dhe ambicjet e tyre.