Në fillim në komunikimit me mediat, në konferencën që po zhvillohet për shëndetësinë, Kryeministri Rama preku çështjen e arrestimit të 3 infermiereve dhe 1 sanitareje ditën e djeshme pasi bashkëpunimin me Tire Alldërvishin, për skandalin e korrupsionit në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Rama tha se është lajm shumë i mirë sepse është një mesazh shumë i qartë në radhë të parë për qytetarët, të cilët nuk duhet të ngurrojnë të denoncojnë në drejtimin që e shohin të arsyeshëm.
“Është një mesazh i qartë për të gjithë atë pjesë të trupës së bluzave të bardha që për fat të mirë është një pakicë e vogël por një pakicë e mjaftueshme për të ndotur imazhin, pastërtinë e bluzave të bardha, për të ndotur rrugën e transformimit. Është një mesazh i qartë edhe për të ardhmen sepse unë besoj se kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës të sistemit. Do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët me shpërblimin motivues për mjekët. Kjo është një ambicie e cila nuk mund të shihte rrugën e realizimit më parë, pa shtruar në fillim bazën e të gjithë infrastrukturës tonë spitalore. Sigurisht që mbetet ende më shumë për tu bërë nga çështë bërë por as nuk krahasohet me situatën ku ishte 7 vite më parë, një skandal dhe turp i pashembullt në mes të Evropës”, tha Rama.