Rezultatet e dy palë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, 2017 dhe 2013, sikurse edhe matjet e opinionit publik përgjatë këtij katërvjeçari, tregojnë një zhvendosje të elektoratit kah e majta, por edhe kah qendra. Për pasojë, ky process shoqërohet me largim të elektoratit nga e djathta dhe sidomos nga partitë më të vogla. Në këtë kontekst janë edhe të gjeturat e sondazhit të realizuar nga Albanian Post dhe Source Group, për Qarkun e Beratit, në javën e fundit të janarit. Në aspektin teknik, sondazhi është realizuar me mostër përfaqësuese për qarkun dhe njësitë përbërëse: Bashkia Berat, Ura Vajgurore, Skrapari, Poliçani dhe Kuçova. Përveç qendrave kryesore të qarkut, janë realizuar anketa edhe në dy komuna – Otllak dhe Kurtali, për shkak të koncentrimit të votuesve. Si rrjedhojë, grafiku për Qarkun e Beratit tregon qartë rënien e madhe të përkrahjes për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe një rënie deri diku të ndjeshme të Partisë Demokratike.

Deklarimi i votës Në zgjedhjet e vitit 2017, në Qarkun e Beratit LSI-ja kishte marrë 19 mijë e 764 vota, apo 23.62%, duke dalë partia e dytë në atë zonë zgjedhore. Ndërsa, tani sondazhi e e nxjerr me 2.6%, që nënkupton tkurrje për 88.99% të votës së LSI-së, apo përkthyer në pikë të përqindjes, i bie që vota për subjektin që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi të jetë zvogëluar për 21.02 pikë. Ky disponim qytetar karshi Lëvizjes Socialiste për Integrim del në pah edhe përmes deklarimit të votës të të anketuarve për vitin 2017. Vetëm 1.6% e mostrës kanë deklaruar ta kenë votuar LSI-në në zgjedhjet e para ktër vjetëve, që shpërfaq distancim në shifrën 93.23% nga ai rezultat zgjedhor. Distancim në deklarimin e të anketuarve për votën e vitit 2017, karshi rezultatit zgjedhor të vitit 2017, vërehet edhe tek votuesi i Partisë Demokratike – minus 41.99%. Ngritje ka vetëm në votën e deklaruar për Partinë Socialiste, për 16.63 për qind, apo 9.07 pikë të përqindjes.

Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, 76.3% e të anketuarve kanë deklaruar që do ta votojnë Partinë Socialiste, 17.3% kanë zgjedhur Partinë Demokratike, 2.6% kanë thënë se do ta votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 1.9% partitë tjera. Bazuar në këto rezultate, pra në deklarimin e të anketuarve për votën e vitit 2017 dhe atë për zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit 2021, i bie që nga tkurrja e ndjeshme e LSI-së të përfitojnë PS-ja, e cila rritet për 10% dhe PD-ja për 6%.

Vlerësimi për liderët Kjo lëvizje e votës brenda Qarkut të Beratit mund të shpjegohet edhe me rënien drastike të popullaritetit të ish-kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tani president i vendit dhe kryetares së tanishme të subjektit, Monika Kryemadhi. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dalin të jenë liderët me shkallën më të lartë, madje shumë të lartë të vlerësimit brenda sondazhit, krahasuar me Lulzim Bashën dhe veçanërisht me Edi Ramën. 83.7% të të anketuarve kanë vlerësim negativ për Ilir Metën, ndërsa 89% për Monika Kryemadhin. Vetëm 4.5% përkatësisht 2.9%(përafërsisht sa vota e LSI-së) kanë vlerësim pozitiv për Metën, gjegjësisht Kryemadhin. Nga matja e Source Group e vitit 2017, kur shkalla e “papëlqyeshmërisë” qytetare ndaj Ilir Metës ishte 53.4%, krahasuar me këtë matje për Qarkun e Beratit, “mospëlqimi” ndaj tij është rritur me mbi 30 pikë të përqindjes. Monika Kryemadhi nuk ka qenë pjesë e asaj matje. Lulzim Bashën me nota pozitive e vlerëson 9.9% e mostrës, derisa për Edi Ramën kjo shifër është gati sa katërfishi i të treve së bashku – 65.2% e të anketuarve, që është më e lartë edhe se ajo e matjes së vitit 2017, kur “pëlqyeshmëria” ndaj Ramës ishte në shifrën 56.2%.

Vota sipas vendbanimeve Dominimi i Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit vërehet edhe kur zbërthehet vota sipas vendbanimeve. Në të gjitha pesë bashkitë dhe dy komunat ku është realizuar matja, mbështetja për PS-në është mbi 70 për qind. Nëse ky rezultat krahasohet me atë të zgjedhjeve të vitit 2017, mesatarja e rritjes së Partisë Socialiste në pesë bashkitë e qarkut rezulton të jetë 44.62%. Rritjen më të madhe socialistët e kanë në Skrapar(Çorovodë), ku nga 37.59% sa kishin marrë në zgjedhjet e shkuara, rezultatet e sondazhit për zgjedhjet e 25 prillit e nxjerrin ndjeshëm të parën me 78.3%. Partia Demokratike del të ketë një rritje të lehtë tek Ura Vajgurore dhe në Skrapar. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka rënie drastike në të gjitha bashkitë. Në komunën e Otllakut, matja në të cilën bashkë me komunën e Kutalisë është bërë për shkak se aty ka një koncentrim të rreth katër deri në pesë mijë votuesve, LSI-ja nuk figuron fare.

Gara për mandate Të gjeturat e sondazhit sugjerojnë që Lëvizja Socialiste për Integrim do ta ketë të pamundur ta fitojë një mandat në Qarkun e Beratit. Rrjedhimisht, ndarja e mandative në këtë zonë zgjedhore do të bëhet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Matematika e kësaj ndarje ndërlidhet edhe me numrin e votuesve që dalin në zgjedhe. Për këtë arsye, bazuar në mesataren e daljes në zgjedhje, në tre palë zgjedhjet e fundit(2017, 2013, 2009) janë ndërtuar tre skenarë: ⋅ Skenari I: Nëse në zgjedhje dalin 85 mijë votues, për 1 deputet duhen pak mbi 12 mijë vota ⋅ Skenari II: Nëse në zgjedhje dalin 80 mijë votues, për 1 deputet duhen rreth 11 mijë e 500 vota ⋅ Skenari III: Nëse në zgjedhje dalin 70 mijë votues, për 1 deputet duhen rreth 10 mijë e 800 vota

Në secilin rast, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka vota të mjaftueshme për ta marrë një deputet, Partia Socialiste i ka të sigurt pesë deputetë dhe ka mundësi të madhe që ta marrë edhe deputetin e gjashtë, ndërsa Partia Demokratike e ka të sigurt një deputet dhe mund t’i duhen rreth 8 mijë vota për ta siguruar të dytin.
Pra, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, LSI-ja i humbet dy mandate, PD-ja e ruan një mandate dhe lufton për të dytin, ndërsa PS-ja i ruan katër mandate, e merr një nga LSI-ja dhe është shumë afër që ta sigurojë edhe mandatin e gjashtë nga Qarku Berat.

__

Nga kjo matje, rezulton që Partia Socialiste të jetë fuqizuar ndjeshëm në Qarkun e Beratit dhe në secilën bashki të qarkut veç e veç. Partia Demokratike e ka ruajtur përgjithësisht votën me tendencën për t’u rritur. Lëvizja Socialiste për Integrim është tkurrur në nivelin e partive të vogla që nuk e kalojnë pragun zgjedhor. Ky trend është përgjithësisht në sinkron me atë të në nivel vendi, kur si njësi krahasuese merret matja e Source Group e realizuar në shtator të 2020-ës. Rezultati në Qarkun e Beratit është veçanërisht tregues i dobësimit që opozita dhe sidomos LSI-ja ka pësuar pas djegies së mandateve, kundër këshillave të Bashkimit Evropian dhe pas refuzimit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të cilat në ato kushte i pati fituar bindshëm Partia Socialiste. Përveç kësaj, LSI-ja ndjek edhe trendin ballkanik të tkurrjes së partive të vogla, sikurse ka ndodhur në Serbi, në Kosovë dhe që mund të vërtetohet në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Albanianpost.com/ Nga Ana Gjoka